Çfarë u tha Vuçiqi serbëve të Banjës përmes telefonit?
Prishtina zyrtare i ka ndaluar hyrjen presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq në Drenicë.
Vizita e paralajmëruar e kreut të shtetit serb në fshatin Banjë të Skenderajt ka dështuar, pasi kryeministri, Ramush Haradinaj i ka revokuar lejen për këtë vizitë.
Ndërsa vendimi i është bërë i ditur nga Policia e Kosovës, presidenti Vuçiq vendosi që banorëve të Banjës t’iu drejtohet përmes telefonit.
“Më vjen shumë keq që nuk munda të vijë atje pasi autoritetet e Prishtinës nuk e dëshiruan këtë dhe nuk munda të kalojë tutje për shkak të sigurisë suaj. Kërkoj nga ju serbët që të mbaheni sa më fuqishëm”, tha Vuçiq.
Ai ka siguruar banorët e Banjës së Skenderajt se qeveria serbe do të angazhohet që të jetojnë më mirë ekonomikisht, si dhe për ndërtimin e një çerdhe për fëmijët, në mënyrë që ata dhe fëmijët e tyre të kenë një të ardhme më të mirë.
“Ju falënderoj për pritjen e bukur që keni përgatitur dhe më vjen keq që nuk munda të vij, por nuk desha të rrezikoj jetën tuaj në asnjë mënyrë”, u shpreh Vuçiq.
Ndryshe, banorët shqiptarë kishin bllokuar rrugën që çon në fshatin Banjë në shenjë kundërshtimi ndaj vizitës së paralajmëruar të Vuçiq.