13:09 / E Martë, 24 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Chelsea, ofertë 50 milionë euroshe për Iscon, transferimi mund të realizohet në janar

Isco Alarcon iu bashkua Real Madridit në vitin 2013 nga Malaga për 30 milionë euro dhe u etiketua menjëherë si një talent i së ardhmes. Përvoja e tij deri tani te Reali ka qenë me luhatje.

Ka pasur momente kur 27-vjeçari ka bërë diferencën, duke qenë një ndër më të mirët për “Los Blancos”, si p.sh. në dy gjysmëfinalet e Championsit ndaj Atleticos në vitin 2017, por edhe finalja kundër Juventusit në po të njëjtin edicion, megjithatë ka pasur edhe çaste negative e dëmtime që kanë frenuar rritjen në karrierë të Iscos.

Këtë sezon, andaluzi në 10 ndeshje në kampionat ka luajtur titullar në vetëm 5 prej tyre, ndërsa ka luajtur 3 herë edhe në Champions, pa shënuar qoftë një gol apo dhuruar asiste.

Duke parë situatën, e ardhmja e Iscos duket larg Madrdit. Sipas medieve britanike, Chelsea e ka përgatitur ofertën për spanjollin dhe lëvizja e tij mund të vijë që në Janar. Blutë, të cilët tashmë kanë të drejtë të hyjnë në merkato, kanë gati në tryezën e madrilenëve 50 milionë euro për të drejtat e mesfushorit me tipare sulmuese.

Tek londinezët Isco, do të gjente hapësirat e duhura për të fituar vazhdimësinë. Aktivizimi i mundshëm te Chelsea mund t’i hapte edhe dyert e Kampionatit Europian me Spanjën, duket një situatë “win-win” për të gjitha palët.