20:33 / E Mërkurë, 09 Janar 2019 / indeksADMonline

Cili është plani amerikan për Kosovën?

Shkruan: Dr. Donik Sallova

Duam apo nuk duam ta pranojmë, Amerika po e mbështetë një zgjidhje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, e cila përfshinë vendosjen e një kufiri të qartë kombëtar e shtetëror mes shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan. Duke thënë se të gjitha opsionet janë në tavolinë, Amerika po heq dorë nga zgjidhja e improvizuar tash e 20 vite: multietniciteti i shtetit kosovar si burim i paqes rajonale. Kjo nuk do të thotë që më tutje shteti i Kosovës nuk do të ekzistojë, meqë ishte projektuar si shtet multietnik, përkundrazi, ky shtet i antarësuar në OKB do të jetë qartazi shtet shqiptar, demokratik, mirëfilli sovran, qoftë edhe në të drejtën për t’u bashkuar në një formacion të ri të përbashkët shtetëror me Republikën e Shqipërisë.

Nuk besoj se Amerika do të investojë më tutje në ide si Asociacioni i Komunave Serbe, i cili në një periudhë 10-15 vjeçare do ta thellonte ndarjen territoriale mes shqiptarëve e serbëve edhe në brendësi të Kosovës. A mendon dikush se nuk do të miratohej statuti i cili do ta themelonte Asociacionin nëse këtë do na e kërkonte Amerika? Ashtu siç u miratua Demarkacioni, do të miratohej Asociacioni! Cili do të jetë pozicioni i Amerikës në botë pas 15 vitesh kur Serbia, me mbështetjen e Rusisë dhe fuqive të tjera anti-amerikane, do të mund ta aneksonte Asociacionin Serb në Kosovë, si entitet politik autnom, e i cili do të vetëvendosste t’i bashkohej Serbisë? Qartazi, “multietniciteti” i shtetit të Kosovës, si vazhdë e politikës UNMIK-iste, i ka shërbyer fuqizimit të Serbisë në Kosovës, sepse dihet që Serbia kurrë nuk ka luftuar vërtetë për të drejtat e serbëve, por vetëm për territorin të cilin synon ta ketë nën kontroll. Çka na bën të mendojmë se në 10-15 vitet e ardhshme Serbia nuk do të avancojë akoma më shumë në kontrollin faktik edhe të komunave serbe në brendi të Kosovës përmes Asociacionit? A mendon dikush se vërtetë me themelimin e Asociacionit autonom që do të kishte shtrirje në 10 komuna (plus 2-3 të tjera që Serbia do t’i kërkonte shtesë), serbët do ta pranojnë shtetin e Kosovës dhe do të heqin dorë nga përpjekja për shkëputje? Kush na garanton që numri i shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk do të zvoglohet akoma më shumë në dekadat e ardhshme, nisur nga trendi i migrimit të tyre në dekadat e fundit?

“Problemi serb” në Kosovë tashmë ekziston, atë e kemi krijuar vet duke pranuar kompromiset e Vienës me të cilat minoritetin serb e kemi shndërruar në super-minoritet, duke ia mundësuar që në Kosovë të jetojë edhe pa e njohur shtetin e Kosovës. Kështu, serbëve kosovarë ua kemi kthyer instiktin e tyre shovenist të pakicës sunduese, e cila ose do ta risundojnë “krahinën”, ose do të shkëputet prej saj, sot ose nesër. Duke e pasur parasysh këtë fakt, pra që Republika e Kosovës kurrë nuk do të bëhet shtet mirëfilli edhe i serbëve dhe duke synuar që influenca perëndimore në Ballkan ta përfshijë edhe Serbinë, Amerika do t’ia krijojë një shteg-daljeje Serbisë nga Kosova, që me gjasë do të jetë rivizatimi i kufijëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku enklava e madhe e quajtur “Veri”, që deri më sot nuk qeveriset efektivisht nga qeveria jonë, t’i bashkohet Serbisë, ndërsa pjesë joesenciale të Luginës së Preshevës t’i bashkohen Kosovës. Pse në çfarë versioni tjetër presim që Serbia ta njohë shtetin e Kosovës dhe Rusia ta heqë veton e saj në OKB? Nëse do ekzistonte ajo formë a nuk do duhej tashmë të ishim anëtar të OKB-së?

Nuk besoj që Amerika do ta mbështesë përmes Asociacionit themelimin e një Republika Srpska të dytë në Ballkan, e cila do bëhej vatër e shovenistëve dhe ekstremistëve serbë dhe do kultivonte raporte të ngushta jo vetëm me Serbinë, por direkt me Rusinë, siç bën sot Republika Srpska në Bosnje. Dihet tashmë bashkëpunimi i hapur i forcave policore e të sigurisë së Republika Srpskas me Rusinë dhe organet e saj të intelegjencës. Më shumë se Serbinë, sot Rusia e kontrollon Republika Srpska-n të cilës ia ushqen ambicjet pansllaviste për bashkim me Serbinë. Amerika e ka kuptuar që duke iu dhënë autonomi serbëve në Kosovë, ata as nuk do të integrohen në sistemin politik të Kosovës e as nuk do të perëndimorizohen. Aspiratat e tyre secesioniste vetëm sa do të rriten. Pra, me Asociacionin problemi nuk do të zgjidhet, por ndarja do të thellohet dhe interesat amerikane në periudhë afatgjate nuk do të jenë të garantuara në një Kosovë me elitë politike që nuk mendon strategjikisht e as kombëtarisht, por që për interesa pushteti janë të gatshëm të qeverisin edhe me instrumentet e Beogradit në Kosovë, siç është Listën Srpska.

Cila do të ishte një alternativë tjetër? Të insistojmë që Serbia ta njohë Kosovën e 17 shkurtit, të na i paguaj dëmet e luftës, të na i kthej të pagjeturit etj.? Po, kështu do duhej të ishte, por tashmë kemi gati 10 vite që kemi hyrë në negociata pa këto kushtëzime, pa i llogaritur këtu koncesionet që i kemi bërë në negociatat e Vienës. T’i themi Amerikës ta bëj këtë gjë për ne? A nuk na i ka siguruar këto 100 e ca njohje Amerika e të cilat sot nuk po jemi në gjendje as t’i mbrojmë?! A na konvenon status quo-ja, ta zëmë për 10 vitet e ardhshme, a kemi kapacitet t’i ruajmë e t’i shtojmë njohjet, a kemi kapacitet ta shtrijmë pushtetin shtetëror në veri, edhe nëse Serbia vendosë t’ua lejojë rrebelimin “veriorëve tanë”, a do mundte Kosova të niste një fushatë policoro-ushtarake për ta diciplinuar popullin serb të veriut, a do ta lejonte NATO këtë punë, a do ta ndalonte Këshilli i Sigurimi dhe e do ta përkrahte Amerika…?

Pra, janë shumë pikëpyetje që duhet t’u përgjigjen këta që po mendojnë ta ruajnë integritetin territorial të Kosovës dhe si të tillë ta antarësojnë në OKB? Si do ia bëjnë? Duke e takuar Radijiçiqin në qeveri, duke e bërë atë a ndonjë Radojiçiq tjetër guvernator të Serbisë në Veri, apo si? E kuptoj që elitat politike në Kosovë ka kohë që kanë hequr dorë nga të menduarit si shqiptarë, duke preferuar të menduarit e pushtetit kosovar, qoftë edhe në kolaboracion qeverisës me Serbinë (Lista Srpska), por është koha e fundit të ulemi dhe të mendojmë kah po shkojmë si komb shqiptar, ku do të jetë Kosova në të ardhmen, a do jetë Kosova shteti plotësues i shtetit të munguar kombëtar shqiptar, apo do jetë shteti pa identitet, pa qëllimësi, pa histori, jofunksional, me territorin e integruar formalisht, por të kontrolluar praktikisht nga Serbia dhe Rusisa.

Nuk duhet të harrojmë se Eliot Engel është prej të fundmëve politikanë të politikës amerikane që e njeh nga afër dhe thelbësisht çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në Ballkan. Kongresi amerikan po mbushet me senatorë dhe kongresmenë që as nuk ia kanë idenë tragjedisë sonë kombëtare dhe kanë krejtësisht interesime dhe beteja të tjera politike, kryesisht të brendshme. Mjaftoi të emërohej në Shtëpinë e Bardhë një kēshilltar për sigurinë kombëtare si Boltoni që neve të na “hyjë frika” për mbështetjen amerikane. Millosheviqi ka vdekur, ndaj nuk mund të pretendojmë që në politikën amerikane nuk do të ketë politikanë që do ta mbështesin Serbinë në vitet në vazhdim…

(Autori është doktor i shkencave politike)