21:50 / E Diele, 10 Korrik 2022 / AR

Ç’ndodhi? Twitter mund të padisë Elon Musk

Elon Musk njoftoi të premten se do të tërhiqet nga oferta 44 miliardë dollarëshe (43.2 miliardë euro) për të blerë Twitter-in, duke thënë se “dispozita të shumta” të marrëveshjes janë shkelur. Njeriu më i pasur në botë shkroi në një dosje se kompania nuk kishte arritur të jepte informacion në lidhje me llogaritë e rreme ose spam në platformë.

Kryetari i bordit të Twitter, Bret Taylor, shkroi në Twitter se bordi është “i përkushtuar për të mbyllur transaksionin mbi çmimin dhe kushtet që kanë rënë dakord me Musk dhe planifikon të ndjekë veprime ligjore për të zbatuar marrëveshjen.”

Musk ka kërcënuar më parë se do të tërhiqej nga marrëveshja nëse Twitter nuk mund të tregonte se më pak se 5% e përdoruesve aktivë ditorë janë llogari të automatizuara spam. Ndërkohë Twitter tha se heq 1 milion llogari të padëshiruara çdo ditë dhe se këto llogari përbëjnë shumë më pak se 5% të bazës aktive të përdoruesve çdo tremujor.

Llogaritë e rreme nëpër rrjete sociale kanë qenë problematike prej vitesh. Reklamuesit mbështeten në numrin e përdoruesve të ofruar nga platformat e rrjeteve sociale për të përcaktuar se ku do të shpenzojnë paratë.

Për të llogaritur se sa llogari janë spam, Twitter tha se rishikon “mijëra llogari” duke përdorur të dhëna publike dhe private si adresat IP, numrat e telefonit, vendndodhjen gjeografike dhe se si veprohet në llogari kur është aktive, për të përcaktuar nëse një llogari është e vërtetë.