08:08 / E Hënë, 07 Qershor 2021 / OSH

Cordaz drejt rikthimit te Interi, 4 futbollistë presin vlerësimin e Inzaghit

Pas thuajse 20 vitesh, kur rritej në akademinë e klubit zikaltër, Alex Cordaz është vetëm një hap larg rikthimit te Interi, ku edhe duket se ka vendosur të mbyllë karrierën e tij si futbollist profesionist.

Portieri 38-vjeçar që sezonin e fundit mbrojti portën e Crotones në Serinë A, është nisur drejt Milanos, ku nesër pritet të hedhë firmën mbi kontratën që do ta lidhë sërish me Interin, fanellën e të cilit ka veshur vetëm një herë në një ndeshje të Kupës së Italisë.

Alex Cordaz pritet të jetë portieri i tretë i zikaltërve, pasi do të marrë vendin e Daniele Padellit të larguar pak ditë më parë me destinacion Udinesen, ndërsa para tij në hierarki qëndrojnë rumuni Radu dhe në majë kapiteni Handanovic.

Zgjedhja e Cordaz është bërë edhe për faktin se portieri mund të federohet lehtë në listën Champions, duke shfrytëzuar vendet për futbollistët e rritur në akademinë zikaltër.

Ndërkohë drejtuesit e Interit kanë bërë një lëvizje edhe në raport me futbollistët të cilëve u skadon kontrata me klubin në fund të muajit qershor.
Bëhet fjalë për Ashley Young, Danilo D’Ambrossio, Aleksander Kolarov dhe Andrea Ranocchia, të cilëve u është kërkuar të presin vlerësimin e trajnerit Simone Inzaghi, para se të nisin negociatat me klube të tjera.

Thënë ndryshe, do të jetë pikërisht Inzaghi ai që do të marrë në konsideratë çdonjërin prej tyre dhe do të vendosë më pas se cili i shërben për idetë e lojës, për t’iu ofruar më pas edhe një kontratë e re nga ana e drejtuesve të klubit.