13:09 / E Mërkurë, 18 Korrik 2018 / indeksADMonline

Dalic “godet” Kolindan dhe politikanët kroat: Është faji i juaji që Kroacia është vend i varfër

Aventura e Kroacisë në “Rusi 2018” do të mbahet mend gjatë, si për atë që skuadra dha në fushë, por edhe jashtë saj. Pasi skuadra ballkanase mori gjithë vëmendjen për kalimin në finale dhe faktin që ishte shumë afër trofeut, është trajneri Zllatko Daliç që i befason të gjithë me deklaratën e tij. Ai flet ashpër kundër politikanëve, duke i sulmuar direkt për gjendjen, ku është katandisur Kroacia.

Ai ka thënë se skuadra do t’ia dhurojë shpërblimin e Botërorit fondacionit për fëmijët kroatë. Kështu, 23 milionë eurot e fituara do të shkojnë për financimin e pushimeve për familjet që nuk kanë mundësi ekonomike. Lajmi është bërë i ditur me një komunikatë në rrjetet sociale, ku trajneri kroat ka sulmuar politikanët kroatë, për shkak të krizës ekonomike.

“Kjo gjeneratë ka treguar se një grup lojtarësh të mëdhenj mund të arrijë majat, pavarësisht kombësisë, buxhetit, apo rëndësisë së stadiumit. I shkruaj këto rreshta, për shkak të situatës së vështirë në Kroaci. Kroacia është vendi më i varfër i Bashkimit Europian, i qeverisur nga ajo që është konsideruar një organizatë kriminale.

Kroacia është një vend, nga ku miliona persona kanë ikur në 20 vitet e fundit. Sot në Kroaci pensionistët nuk plotësojnë dot nevojat bazë, të rinjtë nuk arrijnë të arsimohen, shëndeti është i rrezikuar dhe drejtuesit e institucioneve janë të korruptuar. U kërkoj politikanëve dhe të gjithë përfaqësuesve të tjerë që e kanë katandisur popullin tim kështu, duke e zhytur në varfëri dhe dëshpërim, të largohen nga Kombëtarja e Kroacisë. Nuk jeni të mirëpritur në dhomat tona të zhveshjes. Nuk duam t’u shtrëngojmë dorën dhe të bëjmë foto me ju!

Ju e keni bërë Kroacinë kështu. Kemi fëmijë në Kroaci që nuk e kanë parë kurrë detin me sy, edhe pse vendi ynë ka vijën më të gjatë bregdetare. Kemi fëmijë që shkojnë në shtrat të uritur, sepse prindërit e tyre janë pa punë. Nuk kanë çfarë t’u japin për të ngrënë. Personat që kanë sjellë këtë gjendje, nuk janë të mirëpritur.Respektoni vendimin tonë. Mos vishni fanellën e Kombëtares për të promovuar suksesin tuaj, sepse do të minonit vlerën e punës tonë.

Pjesëtarët e Kombëtares së futbollit janë me popullin kroat dhe do të bëjnë gjithçka për ta ndihmuar atë, përtej fitoreve në Botëror. Të gjithë fëmijët kroatë do të kenë mundësinë të pushojnë të paktën për shtatë ditë në bregdetin kroat. Është minimumi që mund të bëjmë për më të varfrit”, – ka thënë trajneri Daliç, i cili në të kaluarën ka stërvitur edhe Dinamon e Tiranës.

I drejtpërdrejtë trajneri kroat. Mendoni pak: Shqipëria sigurisht që është më keq se Kroacia, por të gjithë e kujtojmë çfarë ndodhi kur Kombëtarja jonë u kthye nga Europiani i Francës, kur gjithë politika e mori peng futbollin. Askush nuk pati kurajë të fliste si Daliç… Trajneri ynë ishte De Biazi në atë kohë dhe nuk pritej ndonjë reagim prej tij, por dikush tjetër mund ta ngrinte zërin.