20:43 / E Hënë, 05 Dhjetor 2022 / LB

Daliq: Kush i nënvlerëson kroatët, pendohet

Kroacia ka siguruar një vend në mesin e tetë skuadrave më të mira të Kupës së Botës e cila po zhvillohet në Katar.

Ata me shumë vështirësi, pas penalltive, e mposhtën Japoninë, por trajneri i tyre, Zlatko Daliq është shprehur shumë i lumtur me këtë arritje.

“Urime djemve, bëmë histori. Ky është kualifikimi i tretë mesin e tetë më të mirëve në botë. Ne luajtëm me guxim dhe luftuam, ky është një rezultat i madh. Luftuam gjithë ndeshjen dhe në fund u shpërblyem”, ka thënë Daliq për “HTV”.

“Ishte sërish një ndeshje e ngjashme, kundërshtari ishte i angazhuar, ne kishim kontrollin e pasimeve, por i shkaktuam problem vetes. Ata patën dy kundërsulme që na nervozuan, pranuam gol dhe në pjesën e parë thamë se nuk do të luanim më pasime të shkurtra dhe kështu dukej më mirë.”, shtoi ai.

Në fund, Dakiq dha një mesazh të fortë për të gjithë rivalët që potencialisht mund ta shohin Kroacinë si kundërshtarë të lehtë.

“Kundërshtari mendoi se ndeshja kishte përfunduar, menduan se do të ishte e lehtë me Kroacinë. Por kurrë mos i nënvlerësoni kroatët! Sa herë që dikush nënvlerëson, ai pendohet. Mund të jemi të vegjël, por jemi gjithmonë besnikë dhe shkojmë deri në fund. Unë vetëm mund t’i përgëzoj lojtarët për atë që kemi ardhur dhe çfarë kemi bërë këtu”, tha në fund Daliq.

Kroacia në çerekfinale do të ballafaqohet me fituesin e ndeshje Koreja e Jugut-Brazili.