16:00 / E Enjte, 04 Janar 2018 / indeksADMonline

Dardan Sejdiu, profili i ish nënkryetarit më të votuar dhe më konstruktiv nga VV

Në shenjë proteste ndaj zhvillimeve të fundit në lëvizjen Vetëvendosje, Dardan Sejdiu, ish nënkryetari i kësaj Lëvizjeje, pak orë më parë ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat e tija udhëheqëse në këtë parti politike.

Në letrën e tij të dorëheqjes, të siguruar nga redaksia e Indeksonline, ai kritikon dy taboret brenda lëvizjes dhe informon të gjithë aktivistët e kësaj lëvizjeje për vendimin e tij.

Përgjatë aktivitetit të tij politik, Dardan Sejdiu ishte treguar mjaft i suksesshëm në cilësinë e nënkryetarit të komunës së Prishtinës, për të vazhduar më tutje si deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Si nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ai kishte ndihmuar në rritjen dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të kësaj Lëvizjeje, rritje kjo që u kurorëzua me vendin e partisë më të votuar në vend. Ai shquhej për qëndrimet e tija të zëshme dhe konstruktive në mbrojtje të interesave të qytetarëve deri sa në cilësinë e nënkryetarit, ishte kujdesur që Prishtina të ketë zhvillimin që edhe sot po përjeton.

Dardan Sejdiu garoi në zgjedhjet e vitit 2010 si pjesë e partisë Fryma e Re. Në Mars të vitit 2011, Fryma e Re u bashkua me lëvizjen Vetvendosje dhe pjesë e këtij bashkimi ishin edhe Dardan Sejdiu dhe Shpend Ahmeti. Ky bashkim, vlerësohet të ketë ndikuar dukshëm në rritjen e lëvizjes Vetëvendosje.

Me tu bashkuar, Dardan Sejdiu kishte filluar të cilësohej si një ndër njerëzit më të rëndësishëm të kësaj partije politike dhe ishte zgjedhur anëtarë i asamblesë komunale të Prishtinës, por dha dorëheqje për tu bërë nënkryetar i qytetit.

Më 2014, ai u zgjodh anëtarë i Kuvendit të Kosovës, duke u bërë ndër personat më të votuar në Lëvizjen Vetëvendosje. Dha dorëheqje nga kjo pozitë, me kërkesë të Albin Kurtit dhe Shpend Ahmetit, për të vazhduar punën me shumë përgjegjësi si nënkryetar i Komunës së Prishtinës.

Në zgjedhjet e fundit nacionale, ku partia e tij politike doli më e votuara, ai u rizgjedh si përfaqësues i VV-së në Kuvend, pozitë të cilën e mban edhe sot. Me rreth 40 mijë vota, ai ishte personi i katërt më i votuar nga kjo parti.

Para se të fillonte karrierën e tij politike, Dardan Sejdiu ishte kryesues i bordit menaxhues të Fondit Slloveno – Kosovar të Pensioneve dhe po mbante përgjegjësinë kryesore për zhvillim të këtij fondi. Para kësaj, ai ishte i angazhuar si profesionist në pozita të larta menaxheriale në institucione financiare në vend, duke u bërë kështu ndër kontribuesit kryesor të zhvillimit të këtij sektori në Kosovë.