19:21 / E Enjte, 24 Tetor 2019 / indeksADMonline

Dardanët: Nëse nuk na pajisin me viza, do t’ia mësyjmë maleve për ta përkrahur Kosovën në Çeki

Muajin e ardhshëm Kombëtarja e Kosovës do të luaj në Plzen ndeshjen më të rëndësishme deri tani, në kualifikimet e kampionatin evropian.

Tifozët e Kosovës “Dardanët” janë duke tentuar që të pajisen me viza schengen për të udhëtuar në Çeki.

Megjithatë ata po hasin në vështirësi për të siguruar vizën, ngase Ambasada e Çekisë në Prishtinë, ka udhëzuar tifozët që të shtrojnë këtë kërkesë në Shkup.

“Sot kemi qenë në Ministrinë e Punëve të Jashtme ku jemi takuar me sekretarin. Ai kontaktoi me disa zyrtarë të kësaj fushe dhe ia shpjegoi situatën që ne do të udhëtojmë në mënyrë të organizuar. Tashmë po presim që të na caktojnë një termin në Ambasadën e Çekisë në Shkup. Nëse nuk do të pajisemi me viza do t’ia mësyjmë maleve për të përkrahur Kosovën” ka thënë një anëtar i kryesisë së “Dardanëve” për Indeksonline.

Për tifozët e Kosovës janë të rezervuara 627 bileta në stadiumin Doosan Arena në Plzen.