Daut Haradinaj viziton familjen Gecaj dhe Stone Castle: Mërgata që investoi në Kosovë është krenaria jonë kombëtare
Kandidati i Aleancës, Daut Haradinaj, vlerësoi familjen Gecaj si shembull të atdhedashurisë në veprim dhe kërkoi më shumë mbështetje institucionale për bizneset vendore që krijojnë vende pune dhe promovojnë Kosovën në botë.
Kandidati i Aleancës, Daut Haradinaj, ka vizituar sot familjen Gecaj dhe kompaninë “Stone Castle”, duke e cilësuar këtë histori si një ndër shembujt më të suksesshëm të investimit të mërgatës në Kosovë.
Haradinaj tha se familja Gecaj ishte ndër ato familje shqiptare që emigruan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kohët më të vështira për Kosovën, duke kontribuar fuqishëm në afirmimin e çështjes kombëtare në periudha kur vendi nuk kishte zë në arenën ndërkombëtare.
“Sot, ata gëzojnë reputacion të lartë në jetën politike dhe ekonomike të SHBA-së, duke ruajtur me përkushtim aleancën e fuqishme ndërmjet Kosovës dhe Amerikës”, u shpreh Haradinaj.
Gjatë vizitës në Stone Castle, Haradinaj vlerësoi investimin e familjes Gecaj si një model të dashurisë për vendlindjen dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës.
“Stone Castle është një nga historitë më të suksesshme të biznesit në Kosovë.
Nga një investim i bërë me dashuri për vendlindjen, është shndërruar në kompani lidere në tregun vendor dhe ambasador të denjë të Kosovës në tregjet ndërkombëtare përmes eksportit të verërave cilësore”, theksoi ai.
Sipas Haradinajt, Rustem Gecaj dhe familja e tij përfaqësojnë shembullin më të mirë të atdhedashurisë në veprim, pasi megjithëse jetuan dhe u afirmuan jashtë vendit, nuk e harruan asnjëherë Kosovën.
“Ata investuan në Kosovë, krijuan qindra vende pune dhe sot bizneset e tyre janë ndër kontribuuesit më të rëndësishëm në ekonominë e vendit dhe në mbushjen e arkës së shtetit”, deklaroi kandidati i Aleancës. Haradinaj po ashtu vlerësoi rolin e punëtorëve të “Stone Castle”, duke theksuar se përkushtimi dhe profesionalizmi i tyre kanë ndihmuar në ndërtimin e një brendi që sot njihet dhe vlerësohet si brenda, ashtu edhe jashtë Kosovës.
Në fund, ai theksoi se Aleanca do të mbështesë vazhdimisht sipërmarrësit dhe bizneset prodhuese përmes politikave zhvillimore dhe lehtësuese. “Biznese të tilla meritojnë mbështetje institucionale dhe partneritet të sinqertë me shtetin. Ne do të jemi gjithmonë në krah të investitorëve dhe sipërmarrësve që krijojnë vlerë, forcojnë ekonominë e Kosovës dhe e përfaqësojnë denjësisht vendin tonë në botë”, përfundoi Haradinaj.

