11:52 / E Martë, 25 Shkurt 2020 / indeksADMonline

De Biazi flet për Rashicën: Po ta merrja atë, do të fitonim Europian

Ish-trajneri i kombëtares së Shqipërisë, Gianni de Biazi beson se pavarësisht përhapjes së coronavirusit në Itali, beson se shteti mund ta përballojë më së miri situatën pasi ka një sistem mjekësor tepër efikas.

Në studion e “Procesit sportiv”, ish-tekniku i Kombëtares Kuqezi e konsideroi si “vdekje të futbollit” faktin që supersfida Juventusi – Interi e së dielës do të luhet pa tifozë. Nga ana tjetër, ai u pajtua shtyrjen e ndeshjeve të Serisë A me 10-15 ditë, pasi kjo do të ndihmojë që të kthehet normaliteti.

“Përhapja e coronavirusit në Itali – Në aeroport më kontrolluan, nuk mendoj se kam gjë. Shteti ynë po e përballon shumë mirë situatën. Sistemi mjekësor italian është një nga më të mirët në botë, kemi mundësi t’i kontrollojmë dhe t’i kurojmë të gjithë. Uroj që situata të menaxhohet sa më mirë. Është mirë që të pengohen manifestimet publike në mënyrë që të përhapet virusi.

Juventusi – Interi pa tifozë për shkak të coronavirusit – Një event kaq i bukur ta shohësh me dyer të mbyllura është vdekje e futbollit. Nuk e di se cila do të jenë zgjidhjet që do të gjejë qeveria. Uroj të jetë më e mira. Ta spostosh kampionatin me 10-15 ditë është mënyra më e mirë për t’u kthyer në normalitet”, përfundoi tekniku italian De Biazi.

De Biazi u ndal te përballja e fuqishme midis Tiranës dhe Partizanit të premtes. Ish-tekniku i Shqipërisë u shpreh se ripërtëritja e Tiranës e bën të pasigurt të mendojë nëse ky rezultat ka ardhur në mënyrë të rastësishme apo nëse drejtuesit kanë projekt afatgjatë.

Meqënëse, Partizani u ka hapur shpesh rrugën trajnerëve italianë për të drejtuar 16-herë kampionët e Shqipërisë, De Biazi u përgjigj nëse do të drejtojë një ditë Partizanin. Italiani shtoi se synon të drejtojë një ekip elitar.

Tekniku italian ka më se 2 vjet pa drejtuar ndonjë skuadër. Ekipi i fundit që stërviti ishte Alaveshi në Kampionatin spanjoll.

“Tirana në vendin e parë – Këtë rezultat të Tiranës nuk e kuptoj. A ka klubi një projekt afatgjatë apo ka ardhur deri këtu rastësisht. Megjithatë, është interesante që një ekip me histori në futbollin shqiptar ka gjetur vendin e duhur.

A do ta drejtonte Partizanin një ditë – Pyetje jo shumë e bukur. Kur ika nga kombëtarja, shkova në Sapnjë. Pata mundësi të tjera për të drejtuar skuadra të ndryshme. Synoj të stërvis skuadra të një niveli të lartë”, bëri me dije De Biazi.

Në vazhdim të emisioni “Proçesi Sportiv”, ish-tekniku i Shqipërisë Xhani De Biazi shtoi se ka ardhur në Shqipëri për të hapur një kamp veror për të stërvitur fëmijët e moshës 6-16 vjeç në programin e tij “Italia Football Talent”. 63-vjeçari theksoi se regjistrimet do të nisin këtë javë, ndërsa tregoi se do të ndodhet në kompleksin “Tropikal” në Durrës.

I pyetur për mospërfshirjen e yllit të Kosovës Milot Rashica në EURO 2016, kohë kur luante për Shqipërinëm De Biazi ironizoi se po ta kishte grumbulluar futbollistin e Verder Bremenit do të fitonte kampionatin europian. Ai përsëriti se Rashica ishte tepër i ri për të luajtur në një kompeticion të rangut elitar si kampionati europian.

Duke folur për rikthimin e mundshëm në krye të kombëtares së Shqipërisë, De Biazi refuzoi kategorikisht të merrte sërish postin e trajnerit të skuadrës sonë, por pranoi se mund të merrte një rol drejtues, jo trajnues. Megjithatë, ai theksoi se synimi i tij tani është stërvisë fëmijë të ndryshëm dhe të marrë drejtimin e një kombëtareje të huaj.

“Arsyet e ardhjes në Shqipëri– Erdha sepse verën e ardhshme kam ndërmend të hap në Durrës në fushat ku stërvisja kombëtaren në kompleksin ‘Tropikal’ një kamp veror. Kemi filluar verën e kaluar. Është diçka që më ka dhënë shumë kënaqësi. Ishte një emocion shumë i veçantë për mua sepse ndihem si gjyshi i tyre kur i stërvis. U jap eksperiecën time si futbollist dhe trajner. Kam një staf që bëj stërvitje me sektorët rinorë të Veronës dhe Atalantës. Është një eksperiencë shumë e bukur, I ftoj të gjithë. Quhet ‘Italia Football Talent’. Prej të mërkurës e të enjtes do të jenë të gjitha informacionet për t’u regjistruar.

Lënia e Rashicës jashtë Shqipërisë për EURO-n 2016 – po ta merrnim do të fitonim Europianin. Në jetë duhet të kesh respekt për të gjihtë personat që ke punuar. Rashica ka lindur në 1997, ishte 19-20 vjeç, nuk kishte nivelin që ka si sot. Sot është një fenomen, askush nuk ia heq cilësitë që ka.

Rikthimi te Shqipëria si trajner– Nuk e besoj. Me të nëjtat detyra, jo. Mund të vija në pikëpamje drejtimi. Kam objektiva të tjera. Dua të stërvis fëmijët dhe ndonjë kombëtare nëse do të më ftojnë”, përfundoi ish-trajneri i Shqipërisë në vitet 2011-2017 Gianni de Biazi.