21:18 / E Diele, 27 Qershor 2021 / C E

De Ligt merr përgjegjësinë për humbjen

Përjashtimi i Matthijs de Ligt në minutën e 52-të vlerësohet momenti vendimtar në ndeshjen mes Holandës dhe Çekisë. Pas përjashtimit të De Ligt për lojë me dorë, Holanda ka pasur telashe të përballet me çekët, që shënuan dy gola dhe kaluan në çerekfinale të Euro 2020.

“Natyrisht, ndihem keq. Faktikisht kemi humbur ndeshjen për atë që bëra. Nuk është dashur ta lejojë topin të kërcente”, ka thënë De Ligt për NOS TV.

“Kam menduar se e kishim lojën nën kontroll. Kemi pasur disa shanse, sidomos në pjesën e parë. Nuk kam pasur ndjenjën se çekët kanë krijuar shumë raste. Por kartoni i kuq qartë se bëri dallimin”.

Mesfushori Frenkie de Jong ka thënë se dukej që skuadra ishte e lodhur, por ai nuk ka ide pse ndodhi kjo.

“Ne vërtetë kemi dashur të fitojmë. Për disa nga djemtë ishte ndeshja më e madhe në karrierë”, ka thënë de Jong.

“Nuk qëndron se nuk ishim të përgatitur taktikisht. Ne ishim të fokusuar dhe nuk i kemi nënçmuar kundërshtarët. Vetëm nuk kemi mundur të dalim në lojën tonë. Ndonjëherë ke ndeshje të tilla”.