11:42 / E Hënë, 12 Shtator 2022 / B O

Debat i madh në Itali, ishte apo nuk ishte gol i rregullt për Juventusin, a mund të riluhet ndeshja?

Juventus barazoi mbrëmjen e së dielës me rezultatin 2-2 ndaj Salernitanës. Një sfidë e cila prodhoi polemika të shumta duke qenë se bardhezinjtë e përmbysën sfidën në minutat shtesë falë një goli të Milik. Megjithatë, pak sekonda pas një feste të çmendur me polakun që mori edhe kartonin e dytë të verdhë pasi hoqi fanellën, arbitri Marcenaro vendosi të anuloj golin për një pozicion jashtë loje të Leonardo Bonuccit.

Mbrojtësi u konsiderua si një lojtar që ndikoi në aksion duke i hequr mundësinë e reagimit portierit, edhe pse ishte një vendim tejet i diskutueshëm. Nervat e torinezëve nuk mbajtën me Cuadradon dhe Allegrin që u ndëshkuan me kartonë të kuq prej protestave, edhe pse një video e publikuar pas përfundimit të ndeshjes xjerr blof VAR teksa shfaqet Candreva që mban në lojë pikërisht Bonuccin.

Një gabim trashanik në epokën e VAR, ndërsa në Itali tashmë po flasin për mundësinë që ndeshja të riluhet për shkak të gabimit teknik. Edhe pse një hipotezë e tillë është vështirë e realizueshme duke qenë se në precedentët e mëparshëm të kampionatit italian, kur është kryer një gabim teknik, ndeshjet nuk janë riluajtur.