15:39 / E Shtunë, 09 Nëntor 2019

Deklarata e Dallkut pas fitores ndaj Llapit

Armend Dallku u shpreh i lumtur me fitoren e realizuar kundër Llapit, teksa theksoi pas ndeshjes se komunikimi i lojtarëve ishte ajo që e gëzoi më së shumti nga kjo përballje.

“Më gëzon fakti që kemi konkretizuar shumë raste, megjithëse kishim mundësi të realizonim edhe shumë më tepër. E dominuam totalisht ndeshjen, ishim shumë më të mirë se kundërshtari. Një fitore e merituar dhe vjen në momentin e duhur. Tani shpresojmë të vazhdojmë me këtë ritëm edhe për ndeshjet e mbetura”, deklaroi Dallku për “Super Sport Kosova”.

Më pas tekniku i Prishtinës foli edhe për mungesat me të cilat po përballet skuadra e tij.

“Pavarësisht disa mungesave ishim të detyruar të improvizojmë dhe ti zëvendësojmë disa lojtarë. Më gëzon fakti se lojtarët sot patën një komunikim brenda fushës dhe me meritë në fund e fituam ndeshjen”, përfundoi 36 vjeçari.

Tani Prishtina është ngritur në kuotën e 27 pikëve, tre më pak se liderët Gjilani dhe Ballkani që të dielen e zhvillojnë ndeshjen e xhiros.