17:02 / E Mërkurë, 28 Shtator 2022 / LB

Deklaratat e Guvernatorit të BQK-së, qeveria insiston se ka rritje ekonomike

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar ndaj lajmit në të cilin thuhej se “BQK përgënjeshtron Kurtin e Muratin: Nuk pati rritje ekonomike 4.9 për qind”

Kreziu në Facebook ka shkruar se deklarimi i guvernatorit të BQK-së në komisionin parlamentar për Buxhet dhe Financa po përdoret sot pasaktësisht kinse si përgënjeshtrim i deklaratave të kryeministrit Kurti dhe ministrit Murati.

“Kryeministri Kurti në deklarimet e tij, e së fundmi në postimin me rastin e shënimit të 18-mujorit të Qeverisë, i është referuar të dhënave të Agjencisë Kosovare të Statistikave për 3 mujorin e parë të vitit 2022, sipas së cilave rritja ekonomike për tre muajt e parë të vitit është 4.9%.  Citati nga postimi i kryeministrit: “Ndërkaq, në çerekun e parë të këtij viti patëm 4.9% rritje ekonomike”, ka shkruar ndër të tjera Kryeziu.

Postimi i plotë i Kryeziut:

Reagim ndaj lajmit me titull, “BQK përgënjeshtron Kurtin e Muratin: Nuk pati rritje ekonomike 4.9 për qind”

Një deklarim i guvernatorit të BQK-së në komisionin parlamentar për Buxhet dhe Finance po përdoret sot pasaktësisht si kinse përgënjeshtrim i deklaratave të kryeministrit Kurti dhe ministrit Murati.

Kryeministri Kurti në deklarimet e tij, e së fundmi në postimin me rastin e shënimit të 18-mujorit të Qeverisë, i është referuar të dhënave të Agjencisë Kosovare të Statistikave për 3 mujorin e parë të vitit 2022, sipas së cilave rritja ekonomike për tre muajt e parë të vitit është 4.9%.  Citati nga postimi i kryeministrit: “Ndërkaq, në çerekun e parë të këtij viti patëm 4.9% rritje ekonomike”.

Ndërkaq, në raportimin e guvernatorit në këtë komision, ai i thotë se projeksionet e BQK-së janë se rritja ekonomike për vitin 2022 do të jetë 3.7%.

Pra, guvernatori flet për projeksionin e rritjes ekonomike për gjithë vitin 2022 sipas projeksioneve të BQK-së, ndërkaq kryeministri Kurti ka folur për shifrat reale të rritjes në 3 mujorin e parë të vitit 2022. Nuk ka përgënjeshtrim. Ka rritje ekonomike.