12:54 / E Diele, 28 Janar 2018 / indeksADMonline

Deklaratat nxitëse për Kosovën, mund t`i kushtojnë ministrit serb

Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandar Vulin, mund t’ua shoh sherrin deklaratave të fundit në raport me Kosovën.

“Qytetarët tonë në veri të Kosovës duhet ta dinë se ushtria serbe është duke monitoruar nga afër gjendjen e sigurisë”, kishte deklaruar Vulin.

Pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, ai kishte theksuar se shërbimet e Ministrisë që drejton menjëherë janë vënë në gjendje gatishmërie për ta vëzhguar situatën.

“Shërbimet kompetente të Ministrisë së Mbrojtjes pas deklaratave të tilla, po vëzhgojnë gjendjen e sigurisë së çdo serbi që jeton në Kosovë”, kishte shtuar ai.

Megjithatë, këto deklarata mund t’i kushtojnë atij me ndalimin e hyrjes në Kosovë. Kështu ka thënë për Insajderin Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli.

“Personat që lëshojnë deklarata luftënxitëse në ditët e sotme dhe që kanë orientim ideologjik fashist normalisht që nuk mund të marrin leje për të vizituar Kosovën”, ka thënë Zyberaj.

Kurse zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, deklaratat e Vulinit i ka cilësuar si nxitëve dhe të rrezikshme për destabilizimin e vendit.

Temat: