09:43 / E Premte, 05 Qershor 2020 / indeksADMonline

Deklarohen të pafajshëm inspektori i ATK-së dhe biznesmeni, që akuzohen për 7 mijë euro ryshfet

I akuzuari për dhënie ryshfeti, Behxhet Bici dhe i akuzuari për marrje të ryshfetit, Samir Smajli, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, janë deklaruar të pafajshëm.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Merrushe Llugiqi, të akuzuarit deklaruan se nuk ndihen fajtorë për veprat me të cilat ngarkohen, raporton “Betimi për drejtësi”.

I akuzuari Bici tha se për të është i pakuptimtë fakti se është i pandehur në këtë procedurë ,pasi që e konsideron veten të dëmtuar.

“Unë i kam lypë paret që më takojnë me ligj, më kanë refuzuar kërkesën, unë jam i dëmtuar, edhe rimbursimin nuk e kam marrë edhe i kam dhënë paret me ma kry punën e nuk ma kanë kry”, ka thënë i akuzuari Bici.

Pas deklarimit të palëve, gjykatësja e rastit Naime Krasniqi–Jashanica i ka njoftuar të njëjtit dhe mbrojtësit e tyre, avokatët Nikë Shala dhe Skënder Musa, se në afat prej 30 ditësh mund të paraqesin kundërshtimet dhe kërkesën për hedhjen e aktakuzës.

Sipas aktakuzës së ngritur më 1 qershor 2020, i akuzuari Samir Smajli, në cilësinë e inspektorit tatimor në ATK, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, duke keqpërdorur autoritetin e tij zyrtar, në vitin 2019, në një lokal në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, është takuar me të akuzuarin Behxhet Bici, drejtorin e agjensionit turistik “Bici – Com”, nga i cili ka kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 7,000 euro.

Në dispozitivin e parë të aktakuzës thuhet se, i akuzuari Smajli ka kërkuar shumën e lartcekur me qëllim që  të ndihmojë pronarin e kompanisë “Bici” rreth rimbursimit të mjeteve prej 166.000, e cila kërkesë paraprakisht ishte refuzuar nga ATK dhe duke i thënë se kërkesa e tij për rimbursim do t’i aprovohet.

Për këto veprime, Smajli akuzohet se ka kryer veprën penale, “marrja e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 1, të KPRK-së.

Ndërsa, Behxhet Bici akuzohet për veprën penale “dhënia e ryshfetit”, për të njëjtën gjendje faktike të përshkruar në dispozitivin e parë.