10:49 / E Hënë, 21 Shtator 2020 / indeksADMonline

Delegacioni amerikan sot në Kosovë, nga Qeveria jepen detaje për takimin me Hotin

Një delegacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vizitojë sot Kosovën. Pjesë e këtij delegacioni është edhe Emisari i Presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell.

Nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti para pak minutave kanë bërë të ditur se ky delegacion do të jetë në Prishtinë, në orët e pasdites.

Kryeministri Hoti do të pres në takim delegacionin e SHBA-së në ora 18:30, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Duhet përkujtuar që kjo vizitë ka të bëjë me marrëveshjen e arritur ditë më parë në Shtëpinë e Bardhë në mes Kosovës dhe Serbisë, për zhvillimin ekonomik.

I njëjti delegacion do të shikojë nga afër zbatimin e kësaj marrëveshje.

Mbrëmë Grenell deklaroi  se zbatimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në top-prioritet kryesore të Administratës Trump.

“Zbatimi i marrëveshjes së bërë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një nga top-prioritetet e Administratës Trump. Shihemi në Prishtinë dhe Beograd këtë javë”, tha Grenell.

Pas qëndrimit në Kosovë, delegacioni amerikan pritet që të mërkurën të vizitojë edhe Serbinë./Indeksonline/