16:28 / E Martë, 04 Shtator 2018 / indeksADMonline

Delegacioni i SIGA-s u prit nga Ramush Haradinaj

Delegacioni i SIGA-s me në krye drejtorin ekzekutiv Emanuel Macedo de Medeiros, zyrtaret e larta të SIGA-s, Katie Simmond dhe Magie Murphy, si dhe drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Besim Hasani e sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, janë pritur nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Drejtuesit e SIGA-s kanë arritur të martën në Kosovë, ku nesër (5 shtator) do të mbahet Samiti i parë Rajonal i Aleancës Globale për Integritetin në Sport (SIGA).

Haradinaj iu uroi mirëseardhje mysafirëve, derisa mirëpriti mbajtjen e këtij Samiti në Kosovë, duke e vlerësuar të rëndësishëm për të ardhmen e sportit tonë, duke respektuar principet e integritetit dhe qeverisjes së mirë në sport dhe respektimin e parimeve thelbësore të SIGA-s.

Ai falënderoi liderët e SIGA-s, dhe shprehu kënaqësinë që edhe Komitetit Olimpik i Kosovës është anëtar dhe themelues i SIGA-s.

Në vijim u bisedua edhe për Ligjin për Sponsorizim dhe për rëndësinë që gjatë marrëveshjeve për sponsorizim të dy etnitetet të ruajnë reputacionin e njëri tjetrit.

Nga ana e tij, Medeiros falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritjen dhe ftoi në njërin nga Forumet e ardhshme të SIGA-s për të shkëmbyer përvojat e shtetit të Kosovës, sa i përket transparencës, integritetit dhe llogaridhënies në fushën e sportit dhe më gjerë.

Pas organizimit të katër forumeve të SIGA-s në nivelin ndërkombëtar, SIGA po fillon me Samitin e parë Rajonal, i cili do të mbahet në Hotel Swiss Diamond në Prishtinë prej orës 14:00 deri në 19:00, me temën: “Integriteti Sportiv – Sfidat, Zgjidhjet dhe Bashkëpunimi Rajonal”.

Krahas panelistëve ndërkombëtarë dhe vendorë, pjesëmarrës janë edhe ministri për Kulturë, Rini e Sport, Kujtim Gashi dhe ministri i Financave, Bedri Hamza. Ky i fundit përveç rëndësisë së transparencës dhe integritetit financiar, do të flasë edhe për Ligjin për Sponsorizime, që do të zgjojë kërshërinë e të gjithë pjesëmarrësve./Indeksonline/