13:56 / E Diele, 05 Maj 2019 / indeksADMonline

Dembele i mungon Barcelonës ndaj Liverpoolit

Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, ka thënë se lëndimi i Ousmane Dembeles do të jetë një goditje e rëndë për Barcelonën.

Dembele pësoi dëmtim në humbjen e Barçës 2:0 ndaj Celta Vigos të shtunën.

Sulmuesi francez e lëndoi veten duke bërë një vrapim të shpejtë në minutën e parë, qëndroi në fushë edhe për katër minuta të tjerë para se të detyrohej ta braktisë ndeshjen.

“Duket se është problem muskulor. Duhet të presim për ta vlerësuar shkallën e dëmtimit. Ai është lojtar shumë i rëndësishëm për ne dhe është goditje e rëndë duke i parë ndeshjet që i kemi në vazhdim”, tha Valverde pas ndeshjes.

“Nuk desha ta zëvendësoj atë me Philippe Coutinhon sepse nuk doja të rrezikoja më shumë”, shtoi ai.

Valverde luajti me formacionin e dytë ndaj Celtas, duke ditur se tashmë e ka siguruar titullin në La Liga dhe të martën e viziton Anfieldin për ndeshjen e kthimit gjysmëfinale në Ligën e Kampionëve të martën.