09:56 / E Martë, 23 Gusht 2022 / C E

Dëmtimet prishin festën e Romës, Mourinho me mesazh të qartë për drejtuesit

Roma mori fitoren e dytë radhazi, sërish me rezultatin minimal 1-0, këtë herë ndaj Cremoneses, megjithatë verdhekuqtë e Jose Mourinhos nuk mund të festojnë plotësisht.

Kjo pasi para ndeshjes u dëmtua holandezi Wijnaldum, i cili me shumë gjasa do të rikthehet vetëm në muajin dhjetor, ndërsa më pas la fushën e lojës në pjesën e parë edhe Nicolo Zaniolo, i cili u rrëzua dhe lëndoi shpatullën.

Dëmtim jo fort shqetësues për fantazistin italian, që gjithsesi do të qëndrojë të paktën tre javë larg fushave, duke humbur përballjen e fundjavës ndaj Juventusit, por edhe ndeshjet ndaj Monzes, Udineses e Empolit, si dhe sfidën e parë në grup në Europa League.

Këto dy dëmtime kanë prishur jo pak planet e Mourinhos, që pas ndeshjes me Cremonesen u ka dërguar një sinjal të qartë drejtuesve të klubit, pasi është shprehur se dëshiron një mesfushor dhe një sulmues deri në fund të merkatos. 

“Wijnaldum kishte krijuar një eupati të jashtëzakonshme, pasi ishte gjithmonë i qeshur, ndërsa Zaniolo po gjente formën e tij më të mirë, ndaj më vjen keq. Merkatoja është e hapur ende dhe të gjithë e dinë që kam nevojë për një mesfushor e një sulmues. Skuadra ka treguar pjekuri dhe soliditet në mbrojtje, ndaj besoj se jemi në rrugën e duhur, por duhet të kompletojmë organikën”, tha Mourinho.

E nëse për sulmin është vetëm çështje ditësh firma me Andrea Belottin, ka dyshime për mesfushën, pasi duhet gjetur një profil “low cost”, që të mund të pranojë edhe pankinën. Për momentin është vet-ofruar Radja Nainggolan, por më parë duhet të japë miratimin Mourinho.