20:30 / E Enjte, 26 Nëntor 2020 / B O

Dënohen 3 nga 6 autorët që murosën shqiptarin në Itali

Gjykata e Monzës në Itali dha 3 dënime me burg për personat që morën pjesë në vrasjen dhe më pas murosjen e 42-vjeçarit shqiptar Astrit Lamaj, ngjarje kjo e ndodhur janarin e vitit 2013.

Me 30 vite burg u dënua ish-partnerja e viktimës. Carmela Sciacchitano, 64 vjeçe, siçiliane me banim Genova, e cila ishte nxitësja e ngjarjes. Ndërkaq, me 24 dhe 14 vite burg u dënuan shtetasit Angelo Arlotta dhe vëllai i tij, Carmelo Arlotta.

Ky i fundit, nga burgu vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë, duke thënë se shqiptari ishte joshur me justifikimin e shitjes së marijuanës dhe më tej kishte ndodhur vrasja.

Nga ana tjetër, Francesco Serio, 45 vjeç dhe Cosimo Mazzola, të cilët ndodhen në burg për vepra të tjera penale, janë ende në gjyq para Gjykatës së Monzës, për të njëjtën histori. Pak javë më parë mediat italiane njoftuan se është lëshuar një urdhër-arresti për 45-vjeçarin Salvatore.T, i cili ndodhet në “arrest shtëpie”, si anëtar i Cosa Nostrës.

Ai dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen në Monza të Astrit Lamajt, të cilin më pas e murosën brenda një vile. Janarin e kaluar, punëtorët bënë një vrimë në një mur për të kryer disa rinovime, kur u gjendën përpara një skene të ngjashme me një film horror.

Salvatore ka pohuar se Lamaj kishte guxuar të ofendonte gruan e gabuar, pronare e një argjendarie, me të cilën kishte pasur një lidhje dashurie. Më herët, kjo shtetase kishte rrahur një person tjetër që ishte ndarë prej saj.

Në rrëfimin e tij, anëtari i Cosa Nostrës u tha hetuesve se ajo kishte paguar 100 mijë euro për vrasjen dhe më pas murosjen e 45-vjeçarit Lamaj. Ish-partnerja e akuzonte Lamajn edhe për vjedhjen e bizhuterive me vlerë 100 mijë euro.