15:16 / E Premte, 07 Tetor 2022 / k.v

Dënohen me 16 vite e 6 muaj burgim të akuzuarit për transportim të drogës nga Maqedonia e Veriut në Kosovë dhe anasjelltas

Arif Bekteshi, Tair Semsiji, Sulltan Rashiti, Fidan Rashiti dhe Ali Rrustemi, të akuzuar për transportim të drogës nga Maqedonia e Veriut në Kosovë dhe anasjelltas, janë dënuar me 16 vite e 6 muaj burgim dhe dënim me gjobë prej 15 mijë e 500 euro.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarve u shpall të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, raporton “Betimi për Drejtësi”

Pesë të akuzuarit ngarkoheshin se duke vepruar në grup të udhëhequr nga i akuzuari Semsiji, kishin ndërmjetësuar dhe transportuar narkotikë të llojit marihuanë nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, për ta dërguar tutje në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian (BE). Ndërsa, Bekteshi akuzohej edhe për armëmbajtje pa leje.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Arif Bekteshi është dënuar me dënim unik prej 3 vite e 8 muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë.

Tair Semsiji është dënuar me 3 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë, ndërsa Sulltan Rashitit është dënuar me 3 vite e 8 muaj burgim si dhe me gjobë prej 3 mijë euro.

Kurse, Fidan Rashiti është dënuar me 2 vite e gjysmë burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë dhe i akuzuari Ali Rrustemi është dënuar me 3 vite e 8 muaj burgim si dhe me 3 mijë euro gjobë.

Gjykatësja Musliu-Selimaj tha se në rast se dënimet me gjobë nuk paguhen brenda 15 ditësh, të akuzuarve do t’iu zëvendësohen me ditë burgu.

Në dënimin me burgim, të akuzuarve do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Po ashtu, të njëjtëve iu është konfiskuar edhe sasia e marihuanës më peshë prej 47.796.03,25 gramë dhe iu konfiskohen para të gatshme, armë, telefona, kartela, thasë të marihuanës si dhe tre vetura.

Pesë të akuzuarit obligohen që secili veç e veç të paguajë shumën prej 200 euro për shpenzime të procedurës dhe nga 50 euro për fondin e viktimave të krimit.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special më 30 nëntor 2021 i kishte dënuar me 24 vite e 6 muaj burgim dhe 12 mijë euro gjobë të akuzuarit Tair Semsiji, Arif Bekteshi, Sulltan Rashiti, Fidan Rashiti, dhe Ali Rrustemi, por që më 8 prill 2022 Gjykata e Apelit këtë aktgjykim e ka anuluar dhe çështja ishte kthyer në rigjykim.

Ndryshe, të akuzuarit ngarkoheshin edhe me veprën penale “Krim i organizuar”, mirëpo ndaj të njëjtëve, prokurorja Habibe Salihu, në fjalën përfundimtare ishte tërhequr nga ndjekja për këtë vepër penale.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 maj 2021, Tahir Semsiji, Arif Bekteshi, Sulltan Rashiti, Fidan Rashiti dhe Ali Rrustemi akuzoheshin për krim të organizuar në lidhshmëri edhe me veprën penale “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike”.

Por, pas rikualifikimit nga ana e prokurorisë, të njëjtit ngarkoheshin vetëm me veprën penale “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike”.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit gjatë vitit 2020, duke vepruar si grup i strukturuar i udhëhequr nga i akuzuari Tair Semsiji, kanë ndërmjetësuar dhe transportuar narkotikë të llojit marihuanë nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës (RKS) dhe anasjelltas, për ta dërguar tutje në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian (BE).

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit Sulltan dhe Fidan Rashiti kishin për detyrë të sjellin narkotikët në Kosovë dhe ta dorëzonin te i akuzuari Ali Rrustemi i cili kishte për t’u furnizuar me sasi të narkotikëve dhe për ta dërguar në vendet e BE-së.

Sipas aktakuzës, gjatë vitit 2020, të akuzuarit Rashiti ishin takuar me të akuzuarin Tair dhe një person tjetër të panjohur, në Shkup dhe i akuzuari Semsiji, ia kishte dhënë të akuzuarit Fidan çelësat e një veture të mbushur me substancë narkotike në sasi prej 47796.03,025 gram, me qëllim që përmes personit të paidentifikuar të dërgohet në shtëpinë e të akuzuarit Sulltan Rashiti që ta mbante deri të nesërmen ku pastaj i akuzuari Tair Semsiji kishte për t’ia dorëzuar të akuzuarit Ali Rrustemi me qëllim të transportimit në BE.

Tutje, në aktin akuzues thuhet se të nesërmen më 12 dhjetor 2020, në oborrin e SHSKUK-së në Prishtinë, derisa të akuzuarit Fidan Rashiti dhe Tair Semsiji ishin duke e bartur narkotikun nga vetura që e ngiste i akuzuari Fidan tek vetura e të akuzuarit Ali, janë kapur në flagrancë dhe arrestuar nga Policia e Kosovës, ndërsa i akuzuari Sulltan kishte qenë duke vëzhguar situatën nga distanca dhe me të vërejtur policinë ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes.

Ndërsa, sipas prokurorisë, i akuzuari Arif Bekteshi kishte rolin që duke bashkëvepruar me të akuzuarin Tair t’i sigurojë personat që do ta transportonin narkotikun, të negocionte me ta dhe t’u jepte sugjerime si dhe ta vëzhgonin terrenin nga kishte me u bart sasia e caktuar e narkotikëve.

Prokuroria, Bekteshin e ngarkonte edhe me veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të KPRK-së, pasi sipas prokurorisë më 12 dhjetor 2020, në shtëpinë e tij në fshatin Lubishtë, Komuna e Vitisë, i ishte gjetur dhe konfiskuar nga Policia e Kosovës një armë gjahu, dy tytëshe dhe 32 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.