12:38 / E Mërkurë, 20 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Deputetët e VV-së do t’i ftojnë si dëshmitarë edhe Haradinajn e Mustafën

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu e cila akuzohet bashkë me disa deputetë të tjerë që kanë hedhur gazin lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës ka përsëritur sot se procesi gjyqësor ndaj tyre është i montuar.

Ajo ka thënë para medieve se deputetët e akuzuar kanë përgatitur një listë me emrat e disa personave të cilët do t’i thërrasin për të dëshmuar në seancat e radhës, raporton Indeksonline.

“Ne e kemi përgatit një listë të dëshmitarëve në mesin e të cilëve janë përpos Kadri Veselit edhe Ramush Haradinaj, Isa Mustafa, Albin Kurti etj. Po ashtu, do të thërrasim edhe Komisionin aktual për demarkacion, përkatësisht Shpejtim Bulliqin, sipas të cilit dëshmohet se Kosova humb territor me këtë marrëveshje”, ka thënë Haxhiu.

Sipas saj, të akuzuarit e kanë për obligim t’i bëjnë pyetje dëshmitarëve, por një gjë e tillë po u pamundësohet nga gjyqtari.

“Ne do të vazhdojmë me qëllimet tona dhe presim që ky proces i montuar dhe politik ndaj nesh të marr fund”, ka theksuar Haxhiu.

Kurse deputeti tjetër, Faton Topalli ka thënë se sot u shkel ligji me përjashtimin e medieve nga salla ku po mbahej seanca.

“Ky proces gjyqësor po mbahet larg syrit të medieve, nuk është profesional dhe është i montuar”, ka thënë Topalli. /Indeksonline/