12:51 / E Enjte, 28 Qershor 2018

Deputetët ‘nuk e dinë’ cili është mandati i EULEX-it pas 14 qershorit

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, duke folur për projektligjin për Dhomën e Posaçme të Supremes që do të merret me çështjet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit përmendi edhe marrëveshjen e Presidentit Thaçi me Bashkimi Europian për vazhdimin e mandatin për EULEX-in.

Sipas Osmanit, ajo dhe kolegët e saj të LDK-së ende nuk e dinë se çfarë ka nënshkruar Presidenti dhe çfarë mandati ka EULEX-i tash.

“Presidenti ka nënshkruar shkëmbim letrash me BE-në për një mandat të ri të EULEX-it. Ai dokument nuk iu është shpërnda deputetëve, të paktën jo deputetëve të LDK-së. Ne ende nuk e dimë se cili është mandati i ri i EULEX-it”, tha në mes tjerash deputetja Osmani.

E për kryeministrit Haradinaj, kjo është çështje tjetër, ndërsa propozoi që Parlamenti ta kërkojë përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje.

“Ndërrimi i letrave për mandatin e EULEX është temë në veti. Parlamenti ka të drejtë me kërku gjithë materien dhe është mirë ta ketë sa më në kohë. Ju lus, kuptojeni kërkesën, nuk është halli me ju qit juve para aktit të krym”, u shpreh Kryeministri Haradinaj.

Osmani gjithashtu kërkoi të di se sa kohë i ka marrë Ministrisë hartimi i këtij projektligji, në mënyrë që edhe Kuvendi të merr kohë më shumë.

“Ky nuk është plotësim-ndryshim i ligjit akutal, por është komplet ligj i ri. Nëse lexohet memorandumi apo përmbajtja e tij e shohim që nuk ka të bëjë vetëm me përfundimin e mandatit të EULEX-it, por trajton të gjitha problemet që kjo dhomë e posaçme i ka pasur përgjatë viteve, pra nëse po i trajton të gjitha këto probleme, atëherë le të na tregon ministri sa i ka marrë kohë Ministrisë së Drejtësisë hartimi i këtij projektligji, e kjo na kallxon se sa kohë i duhet Kuvendit të Kosovës, e jo për 24 orë”, tha tutje Osmani.

Mirëpo ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha që janë vetëm 40 faqe dhe që secili deputet mund ta kishte lexuar para se të vijë në seancë.

“Janë 40 faqe bre. Edhe 40 faqe nuk besoj që ju kishin deshtë shumë kohë secilit deputet me i trajtu para se me ardhë në seancë… Po ndryshohet ri-organizimi i kësaj dhome. Hajde sot ta shqyrtojmë në parim dhe ndoshta na vinë ide më të mira prej juve”, tha ministri Tahiri

Kuvendi i Kosovës po flitet për shqyrtimin e parë të Projektligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, opozitarët nuk po pajtohen që ky projektligj të shkojë me procedurë të përshpejtuar. Por, pozita po e kërkon të kundërtën.