17:44 / E Premte, 02 Mars 2018 / indeksADMonline

Deputetët: Projektligji për Prokurorin e Shtetit fuqizon kompetencat e kryeprokurorit

Kuvendi i Kosovës gjatë seancës së sotme ka bërë shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorin e Shtetit. Ky projektligj nuk u vë në votim, pasi që për miratimin e tij duhen 61 deputetë dhe në sallë mungonin shumica e deputetëve.

Duke prezantuar projektligjin me ndryshime, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se ky projektligj ka për qëllim ngritjen e efikasitetit në shkallën më të lartë të sistemin që është  Prokuroria.

Ky projektligj, sipas ministrit të Drejtësisë është obligim i qeverisë që del nga agjenda evropiane e reformave dhe zbatimi i planit të MSA-së.

Në lidhje me këtë projektligj ka ngritur shqetësimet e saj LDK-ja .

Deputeti Arben Gashit tha se fuqizimi i kryeprokurorit të shtetit mund të krijojë precedent për sjellje arbitrare.

Sipas tij shqetësimet e LDK-së janë lidhur me kompetencat e kryeprokurorit që ka të drejtë të caktojë lëndë dhe prokurorët në Prokurorinë Speciale.

Megjithatë Gashi shpreson se brenda dy leximeve do të ketë mundësi që Komisioni përkatës t’i shqyrtojë dhe përmirësojë ato vëretje që dha LDK-ja.

Shqetësimin e njëjtë me Gashin e ka ngritur edhe deputeti i Nismës Bilall Sherifi.

Sipas tij fuqizimi i kryeprokurorit do të mund të dërgojnë në neglizhimin e detyrës kryesore që është menaxhimi i prokurorive.

Projektligji për Prokurorin e Shtetit është përkrahur nga partitë parlamentare që janë në koalicionin qeverisës.