13:01 / E Premte, 02 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Deputetët të pa interesuar në punën e tyre

Ndonëse janë të thirrur që t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve të Kosovës, deputetët e Kuvendit nuk ju kushtojnë shumë rëndësi seancave në Kuvend. Madje shumë prej tyre, shpesh kur diskutohen tema me rëndësi luajnë edhe në telefon e disa bisedojnë mes veti.

Por, shpesh edhe nuk kanë durim që të qëndrojnë deri në përfundim të seancës. Sot, kur u votuan disa projektligje të mbetura nga seancat e mëparshëm, ende pa e mbaruar fjalën kryesuesi i Kuvendit, Xhavit Haliti, deputetët u ngritën në këmbë dhe nisën të dalin.

Kjo tregon që ata nuk kanë durim të qëndrojnë deri në fund, ani pse paguhen për këtë punë. Nuk është hera e parë që ndodh kjo, pasi edhe më parë është ngritur si shqetësim çështja e nënshkrimit të deputetëve në fillim të seancës dhe më pastaj dalja e menjëhershme e tyre, që tregon se nënshkruhen vetëm sa për të marrë mëditje.

Ndërsa, është paraqitur si kërkesë edhe ndalja e mëditjeve, çka do ti detyronte ata të qëndrojnë në sallë, kjo pasi shumë herë Kuvendi nuk ka kuorum për të votuar projektligjet.

Deputetët e Kuvendit pos pagës së tyre të rregullt, marrin mëditje edhe nëpër pjesëmarrje në komisione të ndryshme parlamentare, pa i llogaritur udhëtimet jashtë vendit e trajnimet e ndryshme./Indeksonline/