21:38 / E Diele, 28 Nëntor 2021 / AR

Deputeti Agusholli flet për dukurinë e fajdeve, autostradën Kijevë-Zahaq dhe rezultatin e VV-së në Pejë

Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e subjektit politik ‘Vetëvendosje’, që udhëheqë me Qeverinë e vendit, Gramos Agusholli, ka folur për dukurinë e fajdeve në Pejë, autostradën Kijevë-Zahaq dhe rezultatin e Vetëvendosjes në komunën e Pejës dhe në tërë Kosovën, në zgjedhjet e 17 Tetorit dhe balotazhin e 14 Nëntorit.

Deklaratat Gramos Agusholli i ka bërë në ‘RADIO 1’.

“Ju e dini e edhe opinioni i gjërë, dukurinë e fajdeve, unë e kam ngritur si temë në Kuvendin e Kosovës. Ajo që më shtyri të flas ishin rastet e fundit në qytetin tone në Pejë, ku dy të rinj për shkak se ishin viktimë e këtij fenomeni përfunduan me fatalitet. Në këtë vend unë i rris fëmijët e mi, Elsën dhe Diellin, dhe sikurse secili prind tjetër dua që të kemi një ambient të sigurt për fëmijët dhe të rinjtë tonë. E ndiej obligim moral dhe qytetar që në kapacitetet e mia si përfaqësues i popullit t’i them më zë të lartë këto dukuri shkatërruese për shoqërinë. Unë kam besim se me sensibilizimin tim për këto raste do të ketë veprim nga organet përgjegjëse. Mos harroni nuk do të ndalem me këtë temë duke qenë i bindur se veprimet e shtetit nuk do të mungojnë. Do ta vëmë shtetin në lëvizje.”-tha Agusholli në ‘RADIO 1’.

Duke folur për rezultatin e subjektit të tij në zgjedhjet komunale në Pejë por edhe në tërë Kosovën, Agusholli thotë se përballë këtij rezultati po bëhen analizat për ta gjetur saktë se ku ka qenë defekti, mirëpo sipas tij, faktor ka qenë edhe koha e shkurtër për tu hapur për persona me potencial politik e profesional.

“Mendoj se koncentrimi i plotë në Qeveri, për shkak të problemeve të panumërta më të cilat përballet vendi, ka qenë njëri nga shkaqet për këtë rezultat, për të vazhduar më pas me besimin se fryma e 14 shkurtit dhe rezultati historik i Lëvizjes, do të përsëritet. Në anën tjetër koha e shkurtë, për tu hapur për persona me potencial politik e professional mund të jetë një arsye tjetër. Fatmirësisht, është se ka një reflektim përballë këtij rezultati, dhe po bëhen analizat për ta gjetur saktë se ku ka qenë defekti, në mënyrë që të përmirësohet në të ardhmen. Kjo është një betejë e humbur, po assesi një luftë e humbur. Këto zgjedhje kanë nxjerrë në pah yje të rinj të politikës, sikurse është rasti i Alban Hysenit në Gjilan, i cili mposhti një veteran të politikës, si Lufti Haziri.”, ka theksuar Agusholli në ‘RADIO 1’.

Deputeti Gazmend Agusholli tutje bëri me dije se pjesa e autostradës Kievë – Zahaq, nuk ka dalë jashtë prioriteteve të Qeverisë Kurti, dhe se sipas tij, këtë e ka sqaruar edhe ministri i dikasterit, Liburn Aliu.

“Unë si shumë bashkëqytetarë jam prej atyre që thuaja në baza ditore e bëjë këtë relacion, andaj edhe e di peshën e rëndësinë e saj. Ministri Liburn Aliu ka thënë se ky segment rrugor është në buxhet për vitin tjetër. Sipas tij, është ndalë shpronësimi, i cili do të kthehet në rivlerësim”, ka shtuar ai.

Deputeti i VV-së Gramos Agusholli ka vënë në pah edhe punën e Qeverisë së Kosovës në këto nëntë muaj, që sipas tij, tregon se kemi të bëjmë për një qeveri që e ka eliminuar korrupsionin, dhe ka ndërmarrë një seri vendimesh të cilat nuk janë parë në të kaluarën, pavarësisht se u ballafaqua me sfida të mëdha si pandemia Covid 19, respektivisht sigurimi i vaksinave dhe rënia e madhe ekonomike. /RADIO 1/