14:23 / E Enjte, 23 Gusht 2018 / indeksADMonline

Deputeti Fisnik Ismaili mban premtimin, gris certifikatën e Veteranit të Luftës

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PSD-së, Fisnik Ismaili ka bërë sot një veprim aspak të pritur.

Ai ka vendosur të grisë certifikatën e veteranit nga radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përpos kësaj Ismaili ka deklaruar se meqë askush nuk po ndërmerre asgjë që t’i largojë veteranët e rremë nga listat, atëherë veteranët e vërtetë s’kanë çfarë kërkojnë aty, shkruan Indeksonline.

Ismaili ka shtuar poashtu se luftën s’e kanë bërë as për mirënjohje, as për cerfitikata dhe as për të fituar para në emër të saj.

Ndër të tjerash ai ka shtuar se pak gjana në jetë i kanë dhënë dhimbje si veprimi i sotëm.

Së fundi çështja e fryrjes së listave të veteranëve është bërë edhe më e zëshme pas dorëheqjes së Prokurorit Speciale Elez Blakaj, i cili po merrej me hetimin e këtyre listave të fryra.

Postimi i plotë i deputetit Ismaili:

Regjistrimi i veteranëve është bë dy herë. Herën e parë menjëherë mbas lufte, kur u pata kthye në Londër, edhe nuk u pata lodhë me aplikue, kur mora vesh se maca e kuca ishin ba veteranë.

Para 5 vjetësh u bë rishikimi i veteranëve, me komision, e me krejt procedurat e rregullta kishe, pikërisht për shkak të macave e kucave. Këtë herë aplikova, me shpresë se të paktën kjo vlerë e luftës nuk shkërrdhehet.

Por, edhe pata premtue se, nëse del vetëm një veteran i rremë në listat e reja, unë kam me çue dorë prej statusit tim, për të cilin edhe jam deklarue se nuk kam me marrë beneficione deri të pensionohem, edhe asnjë cent të vetëm, qoftë edhe për parkingjet e veteranëve, nuk e kam shfrytëzue deri tash.

Meqë kurrkush nuk po ndërmerr kurrgja me i largue mija veteranë të rremë prej listave, atëherë veteranët e vërtetë s’kemi çka lypim aty. Luftën s’e kemi bë as për mirënjohje, as për qertifikata, as për me fitue pare në emën të saj.

Sot po e mbaj premtimin. Pak gjana në jetë më kanë dhimbtë sesa ky sot.