20:09 / E Premte, 15 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Deputeti i AAK-së flet për 100-ditëshin e qeverisë “Haradinaj”, tregon disa vendime të rëndësishme!

Kryeministri i Republikës, Ramush Haradinaj të mërkurën e ardhshme do të  prezantojë raportin për punën që e ka bërë në kohën prej 100 ditëve të Qeverisë. Gjatë kësaj kohe Haradinaj ka punuar aq shumë sa që ka marrë vendime të rëndësishme për vendin.

Kësisoj, për punën e ekzekutivit ka folur edhe deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi. Ai ka thënë se gjatë këtyre ditëve lideri i partisë së tyre, Haradinaj  ka arritur të përcaktojë një dinamikë të jashtëzakonshme në vend.

“Kryeministri Ramush Haradinaj do të ofrojë raportin prej 100 ditësh të qeverisjes dhe konsiderojmë se dallon prej angazhimit të qeverive tjera për arsye se ka përcaktuar një disiplinë dhe një dinamikë të jashtëzakonshme, duke marrë edhe vendime shumë të rëndësishme të cilat kanë ndikuar në kthimin e besimit të opinionit për një qeverisje çfarë e meriton Kosova”, ka thënë Isufi për “Indeksonline”.

Më tej, shefi i grupit parlamentar të AAK-së ka shprehur qëndrimin e tij edhe për liberalizimin e vizave. Isufi thotë se çështja e vizave do të kryhet në të ardhmen.

“Kjo është çështje e procesit i cili do të ndodhë në të ardhmen me vendimet që do t’i merr qeveria çoftë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe angazhimeve të tjera drejt të drejtave praktike të cilat ndryshojnë jetën e qytetarit”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka folur edhe për çështjen e Demarkacionit. Sipas tij, versioni i mëhershëm është i gabuar. Prandaj i njëjti do të rrëzohet në Kuvend.

“Drafti i versionit të Demarkacionit ka ardhur në Parlamentin e Kosovës, po ashtu edhe rezultatet nga të gjeturat e komisionit të ri. Unë jam i bindur se nuk do të kalojë versioni i mëhershëm  për arsye se janë vërejtur shumë gabime që janë bërë në përkufizimin e vijës kufitare me Malin e Zi dhe nëse vihet në Parlamentin e Kosovës për t’u votuar do të rrëzohet si variant i gabuar”, ka përfunduar Isufi./Indeksonline//A.Beka/