23:50 / E Enjte, 28 Prill 2022 / OSH

Deputeti i ardhshëm i Malit të Zi: Shpresoj që Abazoviq të lobojë që shumë çështje të shqiptarëve të zgjidhen

Nikollë Camaj, deputeti i ardhshëm i Malit të Zi, ka thënë që zgjedhja e Dritan Abazoviqit si kryeministër është një e arritur historike për shqiptaret atje.

“Është historike në rend të parë për të ardhmen e Malit të Zi, pasi me këtë akt është dëshmuar që Mali i Zi ka bërë një hap, një veprim që jo më larg se para 5 vitesh ishte e paparashikueshme që një shqiptar ta udhëheqë shtetin”.

Ai në një lidhje direkte në Edicionin Special në Klan Kosova tha që edhe për pozicionin e Malit të Zi në arenën ndërkombëtare është një hap tejet i madh.

“Por, natyrisht edhe për shqiptarët. Ne, në Mal të Zi jemi afër 4 përqind dhe një kryeministër nuk është punë e vogël. Përpos tij, ne kemi edhe tre ministra shqiptarë dhe shpresojmë që vetë pozicioni i shqiptarëve në sytë edhe të malazezëve dhe politikbërësve në Mal të Zi, ka ndryshuar dhe besoj që është një situatë e favorshme për të zgjidhur shumë çështje që janë lënë pas dore me dekada”.

“Është arritur diçka e paparashikueshme dhe e papritur. Është një e arritur që vërtetë reflekton shumë pozitivitet dhe entuaziazëm dhe pritshmëri që kemi shumë çështje për të zgjidhur”, tha ai.

Tutje Camaj ka thënë që kryeministri i zgjedhur Abazoviq ende nuk ka marrë urime nga kundërkandidatët e tij.

“Në këtë moment ata kanë zgjedhur heshtjen dhe përmes disa deputetëve kanë paralajmëruar edhe padi penale kundër deputetëve që kanë zbatuar kushtetutën e Malit të Zi dhe kanë zgjedhur qeverinë. Urime dhe përkrahje nuk ka nga ta  dhe të them të drejtën as nuk presim”, shtoi ai.

Ai ka thënë që presin që Abazoviq të lobojë më shumë që shumë çështje të shqiptarëve të zgjidhen.

“Kryeministri i Malit të Zi mendoj që do të punojë më tepër se të gjithë kryeministrat e tjerë të Malit të Zi në integrimin e shqiptarëve dhe njëkohësisht edhe të shqiptarëve në Mal të Zi. Vetëm me faktin që jemi pjesë e qeverisë, është një mundësi që të rreshtohen në vende të punës, në pozicione dominante, që të marrin përgjegjësi ne vetë për të zgjedhur çështjet e grumbulluara. Shpresoj që Abazoviq të lobojë që shumë çështje të grumbullura të shqiptarëve më në fund të zgjidhen”, përfundoi ai.