10:40 / E Shtunë, 30 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Deputeti i LDK-së: I kotë tentimi për zhbërjen e Speciales, vetëm në këtë formë mund të bëhet!

Të premten e kaluar u mblodhën 43 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Deputetët të thirrur në seancë të jashtëzakonshme në orët e vona, nuk arritën që ta shfuqizojnë këtë Specialen pas dështimit të mbledhjes së kryesisë, e cila më pas do ta dërgonte vendimin në Kuvend.

Por, edhe pas tentativës për shfuqizim nga pozita, Lidhja Demokratike e Kosovës mendon se kjo punë nuk ka kthim prapa. Kështu ka thënë për Indeksonline deputeti i kësaj partie, Arben Gashi. Sipas tij, Gjykata Speciale është obligim kushtetues e juridik i Kosovës.

“Çështja e Gjykatës Speciale nuk është më çështje e vullnetit politik por është çështje e obligueshmërisë kushtetuese e juridike në Kosovë. Nuk kemi tash çka e komentojmë këtë punë. A i duhet apo jo Kosovës një gjykatë e tillë është vendosë në vitin 2015, me propozim të qeverisë së atëhershme është vendosë kjo punë dhe nuk ka çka diskutohet”, ka thënë Gashi.

Gashi theksoi se vendimi për këtë gjykatë është marrë në vitin 2015 me kërkesë të Qeverisë, ndërkaq Kosova nuk ka kohë të kthehet në pikën zero pas tri vitesh.

“Nevojshmëria ose jo e Gjykatës Speciale është vendosë në vitin 2015 dhe tashmë është pjesë e Kushtetutës së Kosovës. Është obligim ndërkombëtar që Kosova e ka marrë, tash nuk kemi kohë me diskutu e me u kthy në pikën zero pas tri vitesh”, shtoi Gashi.

Kujtojmë se pas tentimit për shfuqizim të kësaj gjykate kanë reaguar ambasadorët e vendeve të fuqishme, duke thënë se në rast shfuqizimi, Kosova do të izolohej./Indeksonline/