19:08 / E Diele, 21 Tetor 2018 / indeksADMonline

Deputeti i Parlamentit gjerman shëtit në Podujevë, viziton shtatoret e dëshmorëve

Deputeti i Parlamentit të Gjermanisë nga radhët e CDU-së, Peter Beyer ka vizituar sot komunën e Podujevës.

Është i pari i komunës së Podujevës, Agim Veliu i cili ka bërë të ditur se përgjatë vizitës së tij, Beyer vizitoi disa pjesë të komunës, por që nuk ngurroi të interesohej edhe për zhvillimet në vend, në veçanti për çështjen e kufijve,transmeton Indeksonline.

Beyer poashtu gjatë qëndrimit në Podujevë ka vizituar edhe vendin ku janë të vendosura shtatoret e dëshmorëve, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha dhe Ilir Konushefci.

Postimi i plotë nga Veliu:

Pata nderin që sot ta mirëpres në Podujevë deputetin e Parlamentit të Gjermanisë nga radhët e CDU-së, njëherësh edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, dhe raportues për Ballkanin Perendimor z. Peter Beyer dhe drejtorin e KAS-it për Maqedoni dhe Kosovë z. Johanes Rey.

Miqtë nga Gjermania  i informova për investimet e bëra në infrastrukturë dhe zhvillimin e komunës sonë, planifikimet si dhe mundësitë për investime në të ardhmen.

Mysafirët gjermanë i njoftova edhe për bashkëpunimin  që kemi me disa qytete të Gjermanisë, me ç’rast kërkova ndihmën e tyre në jetësimin e nismave për bashkëpunim konkret me ato qytete.

Gjatë takimit z. Beyer u interesua edhe për zhvillimet e përgjithshme politike në vend, me theks të veçantë për çështjen e shkëmbimit (korrigjimit) të territoreve, pasi që jemi komunë kufitare me Serbinë, për çka shprehëm qëndrim të përbashkët se që çështja e  kufijve nuk është temë që i duhet Kosovës në fazën e finalizimit të dialogut me Serbinë.

Gjatë qëndrimit në Podujevë mysafirët nga Gjermania zhvilluan një takim me përfaqësuesit e organizatave jo qeveritare rinore.

Gjithashtu organizuam drekë pune me shefat e grupeve të këshilltarëve të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Komunës.