15:30 / E Mërkurë, 06 Korrik 2022 / A. M.

Deputetja Doarsa Kica Xhelili insiston që deputetët të obligohen të votojnë dhe jo t’i ikin pergjegjësisë së votimit!

Deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Doarsa Kica Deputetja ka abstenuar për Rregulloren e Kuvendit.

Në mbledhjen e sotme, ajo ka insistuar qe deputetët te obligohen të votojnë dhe jo t’i ikin pergjegjesisë së votimit.

May be an image of 4 people, people sitting and indoor

Postimi i plotë:

Në kuadër të Komisionit për Legjislacion sot u trajtuan, ndër të tjera, dy çështje lidhur me të cilat dua t’iu informoj:

1.       Rregullorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës

Komisioni për Legjislacion votoi draftin e Rregullores së Kuvendit. Më duhet të them që është meritë e jashtëzakonshme e grupit punues dhe të gjitha partive politike që kanë arritur konsensus që solli finalizimin e këtij dokumenti tejet të rëndësishëm për punën e Kuvendit pas kaq shumë vitesh.

Sidoqoftë, unë abstenova, dhe e ndjej të nevojshme ta sqaroj votën time.

Drafti aktual, ndër të tjera ka propozuar që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës të obligohen të votojnë “Për”, “Kundër” apo “Abstenim” në momentin kur janë prezent në séance. Megjithatë, sot u propozua dhe vendos që kjo dispozitë të hiqet, dhe arysetimi ishte në frymën e idesë që Rregullorja të mos parashoh obligime që në praktikë janë potencialisht të pazbatueshme.

Unë në këtë pikë nuk mund të pajtohem me këtë ndryshim. Mandati i deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, lidhet me misionin dhe detyrimet e deputetit si përfaqësues i popullit. Deputeti duhet të ketë qëndrim për çdo çështje që ngritet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Përveç ndonjë rasti eventual të konfliktit të interesit në rast votimi, nuk duhet të ekzistoj asnjë arsye që deputeti të ndjehet i lirë të mos marrë pjesë në votim. Nuk do të duhej të jetë diskrecion i deputetit mundësia e pjesëmarrjes apo jo në votim. Mënyra e votimit absolutisht po, por vet pjesëmarrja në votim jo.

Deputetët përfaqësojnë. Përfaqësimi nuk mund të bëhet pa qëndrim. Deputetët duhet të mbahen përgjegjës dhe ta arsyetojnë sipas nevojës qëndrimin që ata mbajnë në Kuvend. Asnjë deputet nuk duhet të lejohet që duke mos votuar, të lirohet nga përgjegjësia e të pasurit një qëndrim.

Në emër të konsensusit politik, edhe mund të pranojmë të tejkalojmë vetveten dhe të pranojmë diçka që natyrshëm nuk do ta pranonim. Fundja ndonjëherë demokracia këtë e ka – domosdoshmërinë për konsensus. Sidoqoftë, në ato momente kur ne e kemi mundësinë ta ngrisim vetëdijen politike dhe përgjegjësinë e politikbërjes, sidomos kur flasim për punën e Kuvendit dhe deputetëve, duhet të tejkalojmë vetveten pozitivisht. T’i tejkalojmë praktikat bllokuese dhe ta tejkalojmë frikën e mundësisë për mos-zbatim derisa e kemi çdo mundësi sanskionimi të mos-zbatimit.

Për fund, dua të ritheksoj vlerësimin tim për punën që u bë në këtë Rregullore sepse nuk është e drejtë nga ana e askujt që të vë hije në të për një apo dy elemente mospajtuese. Sidoqoftë, do të doja që si votuese në Republikës e Kosovës, së pari, e së dyti si përfaqësuese e popullit, ta tejkalojmë bashkarisht edhe drojën e krijuar nga praktikat e mëparme dhe të zhvillohemi si politikë e shoqëri bashkarisht.

2.       Projektligji për të Drejtën Ndërkombëtare Private

Sot u votua në shqyrtim të dytë Projektligji për të Drejtën Ndërkombëtarë Private. Kjo nënkupton që po afrohet momenti kur nuk do të kemi nevojë ta zbatojmë Ligjin e ish Jugosllavisë të vitit 1982. Kjo nënkupton, që shumë qytetarë të Republikës së Kosovës që hyjnë në marrëdhënie juridiko-civile me shtetas të huaj, apo bizneset kosovare kanë nevojë të vazhdueshme të hyjnë në marrëdhënie dhe transaksione komerciale me biznese jashtë vendit, së shpejti do të kenë kornizë ligjore të përditësuar për rregullimin e marrëdhënieve të tyre (pas votimit në seancë plenare).

Doarsa R. Kica