19:35 / E Mërkurë, 25 Mars 2020 / indeksADMonline

Deputetja e LDK-së: Ju po mundoheni të ktheni Rugovizmin në Albinizëm, por harrojeni këtë

Deputetja e LDK-së, Doruntinë Maloku deklaroi se Lidhja Demokratike e Kosovës që pas vdekjes së presidentit Rugova përballet me një luftë të pashembull fjalësh, për ta cumbuar dhe shkatërruar.

“Përmenda periudhën pas-Rugoviane, duke mos harruar atë para dhe pas luftës ku grupe politike dhe jopolitike në vazhdimësi që nga fillimi e kanë luftuar me të gjitha mjetet e disponueshme LDK-në.

Ka kaluar më shumë se një dekadë, që prej se kjo luftë speciale ka vetëm një qëllim, ta mbjellë idenë se LDK ka faj për gjithçka që ndodhë në Kosovë. Ne kemi faj kur jemi në pushtet, ne kemi faj kur jemi në opozitë.Kemi faj kur ndihmojmë dhe heshtim, praktikisht kemi faj për gjithçka, faj që ekzistojmë, pra ekzistenca e saj është faj.Roli i LDK-së është makth për juve, qëllimi i LDK-së është qëllim përbashkues i të gjitha partive dhe kjo është dëshmuar dhjetëra herë.

Është dëshmuar që sa herë LDK është në pozicion të favorshëm të gjithë bëhen bashkë për ta luftuar, sa herë që LDK është unike, luftohet për ta përçarë, sa herë që është me dobët luftohet për ta përçarë”, tha Maloku, transmeton Indeksonline.

Ajo shtoi se LDK asnjëherë nuk ka përdorur mjete për të shkatërruar një kundërshtarë të saj politike.

“Kundërshtarët politikë kanë arritur që ta përçajnë LDK-në në momentet më të vështira. Sot kur e gjithë bota po lufton me një armik të padukshëm dhe vrasës, dhe kur vendi ynë është kaq i dobët për t’u përballur me një gjë të tillë, ne jemi mbledhur për ta rrëzuar një qeveri pjesë e së cilës jemi vetë.Mos mendoni se ky është një akt i lehtë, s’është aspak e lehtë të rrëzohet një qeveri ku janë disa nga njerëzit më të mirë të LDK-së. Është e dhimbshme të shohësh të largohen ministra nga vendi që u takon, por edhe më dhimbshme kur partneri i koalicionit pavarësisht të gjithave që kemi bërë nuk e respekton partnerin e qeverisjes, aq më tepër e shkel marrëveshjen e koalicionit kjo është tejet zhgënjyese. Unë nuk jam deputete e VV-së, mesazhet që po mi dërgoni mua dhe deputetëve të LDK-së atë faturë kërkojani liderit tuaj, kryeministrit Kurti. Unë jam deputete e LDK-së dhe ka kush i mbron votuesit e LDK-së, mos u mërzitni për ta.Ju po mundoheni të ktheni Rugovizmin në Albinizëm, por këta të dy s’kanë asnjë të përbashkët. Harrojeni”, përfundoi ajo./Indeksonline/