19:12 / E Mërkurë, 18 Nëntor 2020 / OSH

Deputetja Kadaj-Bujupi: Janë braktisë nënat vetushqyese, asnjë cent nga kjo qeveri nuk është ndarë për këtë kategori

Deputetja e AAK-së Donika Kadaj-Bujupi në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, ka folur në lidhje me  menaxhimin e pandemisë Covid-19 në vend, duke theksuar se janë katër komponentë cilat nuk janë përfillur dhe nuk po trajtohen si duhet gjatë kësaj situate.

Është ekonomia e cila nuk po trajtohet siç duhet, duke theksuar kështu që paratë të cilat janë të dedikuara për punëtor të ndahen tek ata, e jo të kalojnë përmes xhirollogarive të pronarëve, meqë kështu mund të ketë keq menaxhim.

“Ndihmat për punëtorë nuk kanë nevojë të shkojnë nëpërmjet punëdhënësve të tyre duke rritur kështu hapësirën për keqpërdorime, ato paga duhet të dalin direkt në xhirollogaritë e punëtorëve”, tha Kadaj Bujupi.

Ajo tutje ka përmendur gjatë kësaj seance se komponenta sociale mbetet shumë e rëndësishme por që nuk po merr trajtimin e duhur nga kjo qeveri.

“Edhe më shumë se punëtorët janë diskriminuar gratë në Kosovë, 80% e të cilave nuk punojnë. Janë braktisë nënat vetushqyese, asnjë cent nga kjo qeveri nuk është ndarë për këtë kategori edhe ashtu të diskriminuar të shoqërisë sonë”, ka theksuar ndër të tjera Kadaj Bujupi.

Sipas saj edhe policia e Kosovës është trajtuar pak nga pakoja e miratuar nga Qeveria, e po ashtu kategori tjetër për të cilën ajo diskutoj ishte ajo e punëtorëve të pastrimit, e të cilët janë vazhdimisht në krye të detyrës, por që nuk kanë marrë asnjë përkrahje.

Gazetarët dhe mediet po ashtu sipas Kadaj-Bujupit, nuk janë trajtuar siç duhet nga ekzekutivi i vendit, duke kërkuar kështu që të trajtohen siç u takon, sepse edhe ata me raportimet e tyre janë në vijën e parë të frontit.

“I thërras qeverinë që të mos e braktisin ministrin e shëndetësisë, sepse ai ndoshta ka vullnet por i vetëm s’mundet të bëj asgjë,  por që të ketë një program pak më konkret më të saktë”, nënvizoj ajo.