09:22 / E Martë, 10 Prill 2018 / indeksADMonline

Deputetja: Protesta në Rrugën e Kombit pati synim destabilizimin e vendit

Deputetja e vetme e qarkut të Kukësit nga Partia Socialiste, Mimi Kodheli  thotë se protesta e dhunshme në Rrugën e Kombit nuk e kanë bërë qytetarët e thjeshtë, por politikanë dhe njerëz me precedentë penalë.

“Ata që e organizuan dhunën nuk janë njerëz të dëshpëruar që kemi parë në pamjet filmike, por janë disa të tjerë që kanë hedhur gurin dhe kanë fshehur dorën. Nëse kjo është e vërtetë, këtu ka një problem që i tejkalon problemet e tarifës, e tejkalon këtë ngjarje të dhunës, ka një problem që lidhet me destabilizimin e vendit”, tha ajo në Ora News.

“Më shqetëson tarifa për qytetarët e Kukësit, e cila absolutisht duhet të rishikohet nga qeveria, për të gjithë ata që kthehen nga kullota për në shtëpinë e tyre në darkë. Të shikohet shumë më thellë ky element që synonte të destabilizonte. Këta elementë kanë qenë politikanë dhe njerëz me precedentë penalë”, tha Kodheli.