22:12 / E Shtunë, 13 Prill 2019 / indeksADMonline

Dërgohen në vuajtje të dënimit Nexhat e Fadil Demaku, arrestohen vëllezërit Demaj

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK), ka njoftuar se dje është dërguar në vuajtje të dënimit ish-kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku dhe ish-deputeti Fadil Demaku.

Në një njoftim për media, OVL UcK ka bërë të ditur se sot janë arrestuar edhe vëllezërit Driton, Agim e Selman Demaj, në cilësinë e të dyshuarve, transmeton Indeksonline.

Më poshtë njoftimi i plotë:

Për më shumë se një dekadë, ishim dëshmitarë të dështimit total të drejtësisë ndërkombëtare në Kosovë, e cila përmes mekanizmave të ashtuquajtur të drejtësisë, vazhdimisht ka organizuar komplote kundër luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Edhe grupi i Drenicës janë dënuar pa prova materiale, me vetëm një deklaratë të një pale, e që është absurd i kësaj drejtësie, që fatkeqësisht po e zbaton drejtësia e Kosovës.

Dje u dërguan në vuajtje të dënimit kryetari i komunës së Drenasit Nexhat Demaku e ish deputeti I Kuvendit të Kosovës Fadil Demaku, ndërsa sot arrestohen dhunshëm vëllezërit Driton, Agim e Selman Demaj në cilësinë e të dyshuarit.

Neve si OVL UÇK, na brengos fakti që kriminelët serbë shëtisin lirshëm kudo në Kosovë dhe nuk gjykohen për krimet që i kanë bërë, por po gjykohen e denohen me akuza të rrejshme luftëtarët e lirisë. /Indeksonline/