18:24 / E Martë, 12 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Dërguti ende si nënkryetare e Kuvendit, ja çka thonë njohësit e legjislativit

E premtja e javës që shkoi nxori në pah një të vërtetë, që brenda Lëvizjes Vetëvendosje tash e një kohë ka mosmarrëveshje.

Madje e gjithë kjo eskaloi kur publike u bë një bisedë në mes anëtarëve të partisë, e ku deputetja Aida Dërguti, i drejtohej deputetit Albin Kurti, me fjalë fyese.

“E ai m…”, ishte shkrimi që Dërguti i referohej Kurtit.

Por nuk përfundoi me kaq. Pas reagimeve të shumta, ku ndër të tjerash thuhej se të parit të Vetëvendosjes, Visar Ymeri i është kërkuar largimi i Dërgutit nga Vetëvendosje, teksa kjo e fundit dje bëri publik lajmin se tashmë ka dhënë dorëheqje nga postet që kishte në këtë lëvizje.

Që prej dje, Dërguti nuk është më Kryetare e Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri si dhe nuk është më anëtare e Kryesisë së Lëvizjes.

Por në dorëheqjen e saj nuk bënte pjesë edhe posti që ka si nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e kësaj partie opozitare.

I kontaktuar nga Indeksonline, Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka theksuar se nëse Vetëvendosje vendos të largojë Dërgutin nga posti i nënkryetares së Kuvendit dhe kjo e fundit nuk pranon, atëherë duhet që Vetëvendosje të paraqes kërkesë për shkarkim.

“Nëse Vetëvendosje nuk dëshiron që në kryesi të Kuvendit të Kosovës të përfaqësohet nga Dërguti, dhe kjo e fundit nuk jep dorëheqje, atëherë duhet që Vetëvendosje të paraqes kërkesë për shkarkim”, ka thënë Krasniqi.

Gjithashtu ai ka bërë të ditur se shkarkimi në fjalë bëhet me shumicën e votave të dy të tretave të numrit të përgjithshëm të deputetëve.

“Pastaj duhet që Vetëvendosje të propozojë një kandidat tjetër për nënkryetar të Kuvendit, që duhet të marr votat e shumicës së deputetëve për t’u zgjedhur”, ka shtuar Krasniqi.

Por ndër të tjera sipas Krasniqit, nëse Aida Dërguti jep dorëheqje edhe nga anëtarësia në Lëvizjen Vetëvendosje, do të ishte e udhës që të jap dorëheqje edhe prej postit të nënkryetares së Kuvendit, pasi këto janë poste të rezervuara për përfaqësim të Grupeve Parlamentare.

Ndryshe gjatë ditës së djeshme në media është lakuar një emër i mundshëm që mund të vihet në pozitën e Dërgutit, si nënkryetare në rast të largimit./Indeksonline/