20:09 / E Mërkurë, 14 Mars 2018 / indeksADMonline

Dërgutin mund ta rrëzojnë vetëm 80 deputetë

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që deputetja, Aida Dërguti e cila tashmë është në grupin e atyre deputetëve që kanë kërkuar formimin e Grupit të Ri Parlamentar, të dorëhiqet nga pozita e nënkryetares së Kuvendit.

Sipas tyre, posti i një nënkryetari të Kuvendit i takon Vetëvendosjes, prandaj Dërguti duhet të dorëhiqet nga kjo pozitë, pasi më ajo nuk e përfaqëson Vetëvendosjen.

Se kjo pozitë i takon Vetëvendosjes e thotë edhe Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, njëherësh, njohës i zhvillimeve në Kuvend, i cili shton se kjo pozitë është e lidhur me rezultatet e zgjedhjeve.

Në një prononcim për Indeksonline, ai ka treguar se nëse Dërguti nuk jep dorëheqje, atëherë procedura e shkarkimit kërkon 80 vota të deputetëve.

“Nënkryetari i Kuvendit i takon Vetëvendosjes, pasi këto pozita janë të lidhura me rezultatet e zgjedhjeve. Nëse znj. Dërguti nuk jep dorëheqje, procedura e shkarkimit kërkon 80 vota të deputetëve”, ka deklaruar Krasniqi.

Ndryshe, sipas tij, nëse Kuvendi voton kundër shkarkimit të saj, atëherë çështja mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Nëse Kuvendi voton kundër shkarkimit, atëherë kjo çështje mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese”, ka shtuar ai.

Indeksonline ka tentuar të flas me deputeten Dërguti për këtë çështje, mirëpo deri më tash nuk ka marr përgjigje./Indeksonline/