17:22 / E Mërkurë, 27 Maj 2020 / indeksADMonline

Dëshmori i parë i Prizrenit, Përparimi i Lirisë

Vitet ’90 janë të vështira në Kosovë. Represioni serb (ose asaj çka ka mbetur nga ish-federata jugosllave) bëhet gjithmonë e më shtypës. Jeta publike është e tensionuar dhe të rinjtë poshtërohen në të gjitha mënyrat.

Arsimi dhe shëndetësia zhvillohen jashtë shkollave dhe spitaleve, mësuesit detyrohen të japin mësim nëpër xhami e shtëpi private ndërsa doktorë e infermierë nxirren me forcë nga vendet e punës.

E njëjta situatë edhe me sportin, të rinjtë nuk lejohen të luajnë futboll dhe në fshehtësi të plotë nisin të organizohen për t’i luajtur ndeshjet nëpër ara të përshtatura si fusha futbolli.

Në Kosovë, detyruar nga rrethanat, shoqëria fillon të organizojë zhvillimin e një jete paralele.

Janë vite kur Përparim Thaqi nga Landovica, student i gjuhës angleze dhe njëkohësisht futbollist i Lirisë së Prizrenit vendos të sakrifikojë rininë dhe të ardhmen e tij për përmirësimin e jetesës në vend me qëllim çlirimin e tij.

Atëkohë 22 vjeçar, Përparimi la në gjysmë pasionin si futbollist i Lirisë për tu bërë simbol i një tjetër lirie që nuk do të mund ta shijonte asnjëherë.

Përparimi iu bashkua radhëve të UÇK-së në luftën ndaj represionit serb që ushtronte dhunë ndaj çdo kujt që frymonte shqip në tokën Dardane.

Me 27 maj 1999, futbollisti i ri bëhet dëshmor i tokës dhe vendit që shumë e deshi edhe pse kishte një karrierë përpara tij në futboll.

Ne nuk e kishim ambicie luftën, në jetë kishim qëllime tjera. Por ajo na u imponua. Nuk mund të dilnim në qytet pa na ndaluar policia 2 ose 3 herë e pa na i dhënë disa shuplaka mes fyerjesh. Na qenë cënuar të gjitha të drejtat. U desh patjetër me i marrë pushkët e me i dalë zot këtij vendi…”, kishte thënë ai atë kohë.

Ai u bë dëshmori i parë i qytetit historik dhe si i tillë radhitet në varrezat e dëshmorëve në fshatin e tij së bashku me shumë trima.

Sot, për nder të tij, stadiumi i qytetit të Prizrenit, simboli i sportit në këtë vend mban emrin “Përparim Thaqi”. /IndeksOnline/