12:24 / E Premte, 24 Gusht 2018 / indeksADMonline

Dështon gjykimi ndaj Lushtakut dhe të tjerëve

Përsëri ka dështuar shqyrtimi gjyqësor ndaj ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, ish-drejtorit të KEK-ut, Arben Gjukaj, ish-kreut të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Hysni Hoxha si dhe katër të akuzuarve tjerë lidhur me dyshimet për keqpërdorime në rastin e tenderit gjashtë milionësh në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Shkak i shtyrjes së seancës, e paraparë të mbahej të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ishte mungesa e mbrojtësit të të akuzuarit Driton Pruthi, avokatit Bajram Tmava.

Pruthi deklaroi se ditën e djeshme është njoftuar se mbrojtësi i tij është në gjendje shumë të vështirë shëndetësore dhe është i shtrirë në spital, çka sipas tij, e ka pamundësuar pjesëmarrjen e tij në këtë seancë.

Përpos avokatit Tmava, në gjykatë morën pjesë prokurorja Florije Shamolli, të gjithë të akuzuarit tjerë dhe mbrojtësit e tyre si dhe dëshmitarët Milaim Berisha dhe Daut Jashanica.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Beqir Kalludra deklaroi se në mungesë të avokatit Bajram Tmava, shqyrtimi gjyqësor duhet të shtyhet dhe seanca e radhës është caktuar që të mbahet më 12 shtator.

Ndryshe, edhe seanca e kaluar e kaluar e 16 korrikut të këtij viti kishte dështuar të mbahej, por atëherë për shkak të mungesës së anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Shashivar Hoti, i cili ka qenë në pushim vjetor, arsye kjo që bëri të anuloheshin edhe seancat e 18 dhe 19 korrikut.

Ky proces gjyqësor më herët ishte duke u gjykuar nga EULEX-i por Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), më 27 shtator të vitit të kaluar kishte aprovuar kërkesën e EULEX-it që rasti “KEK 2”, t’i delegohet gjyqtarëve vendorë, të cilin vendim Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte pranuar vetëm pas dy jave.

Në shkurt të vitit 2016, para trupit gjykues, të kryesuar nga gjykatësi Vladimir Mikula, gjithë të pandehurit ishin deklaruar të pafajshëm.

Në këtë rast hetimet kishin filluar më 5 tetor 2012, ndërkaq aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015.

Sipas aktakuzës, në tenderin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) përfshihen tashmë ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj dhe pesë të akuzuar të tjerë.

Shtatë të pandehurit, akuzohen për tenderin milionësh për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut. Në këtë proces gjyqësor, Sami Lushtaku është i ngarkuar me veprën penale “shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”, Arben Gjukaj e Hysni Hoxha, akuzohen për “keqpërdorim i pozitës zyrtare ose të autorizimit”, Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku në bashkëkryerje akuzohen për “mashtrim” dhe “falsifikimit të dokumenteve’’, Driton Pruthi për veprat penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “lidhje e kontratës së dëmshme” dhe i pandehuri i fundit, Azem Duraku për veprën penale “shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”.

Prokuroria pretendon se sjellja e paligjshme e të pandehurve të lartcekur, ka rezultuar me dhënien e kontratës kompanisë së sigurimit “Security Code”, e cila ka ofertuar si pjesë e konsorciumit me kompaninë “WDG”. Kontrata në fjalë ishte për periudhën dy vjeçare, në shumë prej 6, 182, 609.76 euro, shumë kjo për të cilën pretendohet se është dëmtuar KEK-u./Betimi për Drejtësi.

Temat: