17:55 / E Enjte, 06 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Dështon mbledhja e CEFTA-s në Prishtinë, e kundërshton delegacioni kosovar

Ka dështuar mbledhja e sotshme e Komitetit të CEFTA-s, që duhej të mbahej në Prishtinë, pasi delegacioni i Kosovës ka kundërshtuar që mbledhjen ta kryesojë përfaqësuesi i UNMIK-ut, siç ka insistuar delegacioni i Serbisë, dhe më pas e ka braktisur mbledhjen, sikundër edhe delegacioni i Shqipërisë.

Qeveria e Serbisë, ndërkohë lëshoi një komunikatë, me të cilën akuzon Kosovën për obstruksion dhe për vendosjen e taksës ndaj mallrave serbe e boshnjake.

Sipas kësaj, Qeveria e Serbisë ka lëshuar një komunikatë për media, të cilën e transmetojnë mediat në Serbi. Aty thuhet se me gjithë tensionet e larta në raportet midis Beogradit e Prishtinës, siç i cilësojnë ato mediat serbe, përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Serbisë ishin të pranishëm në mbledhjen e rregullt të Komitetit të përbashkët të CEFTA-s në Prishtinë.

Siç thuhet në komunikatën e Qeverisë së Serbisë, për të dërguar kështu edhe një herë mesazhin e paqes dhe të tolerancës dhe për të demonstruar vullnetin e mirë që në mënyrë konstruktive të përpiqen të merren vesh dhe të zgjidhin çështjen e vendosjes së taksës nga ana e, siç e quan Beogradi zyrtar Republikën e Kosovës, Institucioneve të përkohshme të qeverisjes në Prishtinë, duke respektuar mekanizmin dhe procedurat e CEFTA-s, transmeton Koha.net.

“Serbia ka pranuar që mbledhjen ta hapin bashkërisht UNMIK-u dhe Institucionet e përkohshme të qeverisjes në Prishtinë, me gjithë faktin se kryesues i mbledhjes mund të jetë vetëm UNMIK-u si kryesues i Marrëveshjes së CEFTA-s më 2018, që është në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244 të KS të OKB”, thuhet në komunikatë.

Përfaqësuesi i Serbisë në fillim të mbledhjes edhe njëherë ka përsëritur se pret që Prishtina menjëherë të tërheqë masat radikale, të kundërligjshme dhe diskriminuese nga 6 e 21 nëntori, që e shkelin drejtpërdrejt Marrëveshjen CEFTA dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, vazhdon teksti i komunikatës.