12:20 / E Mërkurë, 17 Janar 2018 / indeksADMonline

Dështon mbledhja e Kryesisë, nuk kishte kuorum (Video/Foto)

Ka dështuar mbledhja e sotme e Kryesisë së Kuvendit,  e cila ishte paralajmëruar të nis në ora 11.

Pas më shumë se një orë, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli shkoi në mbledhje dhe e shpalli të mbyllur, raporton Indeksonline.

“Kuvendi e ka dënu me një deklaratë vrasjen e një politikani serb që ka ndodhur në veri dhe kërkon nga organet kompetente që sa më parë të zbardhin rastin”, ka theksuar Veseli.

Ai ka kërkuar nga anëtarët e kryesisë të marrin pjesë në mbledhjet e thirrura, pasi sot në mungesë të kuorumit u pamundësua vazhdimi i mbledhjes.

Avdullah Hoti i LDK-së ka thënë se nuk do të rrijnë duarkryq dhe do të bëjnë të gjitha gjërat e mundura për të funksionalizuar institucionet e Kosovës.

“Ju i dini qëndrimet e LDK dhe ne do të jepnim mendimin tonë  e do të lëshonim mbledhjen e kryesisë nëse në rend dite do të ishte Gjykata Speciale”, ka thënë Hoti.

Ai tha se ndonëse specialja s’ishte në rend të ditës, ajo do të futej te pika “të ndryshme”.

Duke folur për vrasjen e liderit serb, Hoti ka thënë se pret zbardhjen e vrasjes së Ivanovicit, duke uruar që organet të jenë efikase.

“Kam parë deklarata të zyrtarëve, politikanëve e analistëve që fajin e hedhin nga veriu e jo nga jugu i vendit”, ka shtuar Hoti.

E pikat e rëndit të ditës janë shqyrtimi i raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale, projektligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje, projektligji për azil, shqyrtimi i strategjisë se Energjisë etj, raporton Indeksonline./Indeksonline/