16:27 / E Shtunë, 26 Tetor 2019 / indeksADMonline

Dhjetëra gjoba ndaj bizneseve për shitjen e produkteve pa përshkrim në gjuhën shqipe

Në Kosovë edhe më tej vazhdojnë të shiten mallra apo produkte të ndryshme, të cilave u mungon deklaracioni në gjuhën shqipe. E për këtë vetëm gjatë këtij viti janë shqiptuar 74 gjoba për operatorët ekonomik. Organizatat të cilat mbrojnë të drejtat e konsumatorëve thonë se mosdeklarimi i mallrave me përbërje në gjuhën shqipe, rrezikon shëndetin e kosovarëve nga konsumimi i këtyre produkteve të importuara.

Edhe pse kjo çështje është e rregulluar me “Ligjin për Konsumatorët” dhe me Kushtetutë, shumë prej produkteve ushqimore dhe të medikamenteve në tregun dhe dyqanet në Kosovë nuk kanë përmbajtje në gjuhën shqipe.

 Një gjë të tillë e thotë edhe vetë kryeinspektori në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Lulëzim Syla sipas të cilët inspektorët sa herë që hasin në mallra pa deklaracion në gjuhën shqipe, ndërmarrin masa ndëshkuese ndaj operatorëve ekonomikë.

Një gjë e tillë, sipas tij ndodhë edhe si shkak i neglizhencës së vetë operatorëve ekonomik.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci thotë për KosovaPress, se ky institucion gjatë gjithë kohës ushtron kontrolle jo saktësisht për deklaracionin e mallrave, por për të ditur sasinë, vlerën dhe numrin tarifor të produkteve të cilat janë në proces të zhdoganimit.

Vetëm gjatë këtij viti, Stavileci thotë se kanë hasur në dhjetë raste.

Mungesa edeklaracioneve në gjuhën shqipe te produktet e ndryshme për Selatin Kaçanikun nga Organizata Joqeveritare “Konsumatori”, mund të ketë pasojë në shëndet te konsumatorët.

Një gjë e tillë sipas tij po bëhet qëllimisht nga vetë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Në vitin 2013 ka hyrë në fuqi rregullorja e re që parasheh se mandatin për të kontrolluar deklaracionin e produkteve ushqimore duhet të ketë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

E sipas nenit 16 të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, deklaracioni është i obligueshëm në gjuhën zyrtare.

“16.1. Gjatë shitjes së mallit, tregtari duhet t’ia japë konsumatorit dokumentacionin e paraparë nga prodhuesi, për t’i siguruar konsumatorit informacionin e duhur për përdorim.

16.2. Dokumentacioni nga pika 1 e këtij neni duhet të jetë i shkruar qartë, dukshëm dhe i lexueshëm në gjuhën zyrtare. Ligji nuk e përjashton mundësinë e përdorimit të gjuhëve të tjera dhe shenjave që janë të kuptueshme për blerësin”, thuhet në nenin e 16 të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Ndërkohë, KosovaPress gjatë një vizite që ka bërë në disa markete në Prishtinë ka identifikuar mjaft produkte që shiten pa deklaracion të gjuhës shqipe.