10:58 / E Enjte, 06 Shtator 2018 / indeksADMonline

Dhunohet seksualisht një femër në Viti, prokuroria nis hetimet

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka pranuar kallëzimin penal nga Njësia e Hetimeve Rajonale në Gjilan, për një rast të dhunimit, i cili ka ndodhë në komunën e Vitisë.

Prokuroria njofton se i dyshuari me inicialet R.A, me përdorimin e forcës dhe kanosjes, e ka detyruar të dëmtuarën me inicialet A.L, të kryej marrëdhënie seksuale, pa pëlqimin e saj, duke përdorë dhunë fizike ndaj të njëjtës, me ç’ rast e ka goditur në pjesë të ndryshme të trupit, e cila për shkak të lëndimeve të pësuara detyrohet që të kërkojë ndihmë mjekësore fillimisht në Spitalin Regjional në Gjilan, pastaj në QKUK, në Prishtinë.

Për këtë çështje, Prokurori i rastit, nga Departamenti i Krimeve të Rënda, ndaj të dyshuarit, ka nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve dhe ka ushtruar kërkesën për caktimin e paraburgimit, në gjykatën kompetente në Gjilan, për shkak të veprës penale “dhunimi”, e cila është e sanksionuar në nenin 230 paragrafi 4 nën paragrafi 4.3 lidhur me paragrafin 1 dhe 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, Departamenti i Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Gjilan, e ka refuzuar si të pabazuar, prandaj Prokuroria Themelore në Gjilan, kundër këtij aktvendimi të gjykatës, brenda afatit ligjor ka paraqitur ankesë, në gjykatën e shkallës së dytë – Gjykatën e Apelit në Prishtinë.