14:10 / E Martë, 26 Tetor 2021 / OSH

Dhunuesi u dënua me 8 muaj/ Lumezi kërkon që të rishqyrtohet lënda e 15 vjeçares

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, si autoritet kompetent, që të rishqyrtojë lëndën penale PP.nr. 68/12 të prokurores Lirije Morina dhe nga të gjeturat të ndërmarrë  të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Të hënën bëri bujë raportimi për dënimin me vetëm tetë muaj e tetë ditë burgim një personi të akuzuar për dhunimin e një 15-vjeçareje.

Edhe pse Kodi Penal i Kosovës parasheh dënimi për dhunim në rastin kur viktima është e mitur të jetë nga 5 deri në 20 vite burgim, gjyqtarja Florije Zatriqi, ka gjetur rrethana lehtësuese. Ajo në vendimin e marrë dy muaj më parë kishte arsyetuar dënimin e ulët duke u bazuar në keqardhjen dhe pranimin e fajësisë si dhe në kohën kur ka ndodhur rastin i pandehuri ka qenë 21-vjeçare dhe se tani kanë kaluar 10 vite dhe se ai ka edhe fëmijë. Ngjarja, sipas aktakuzës, kishte ndodhur në janar të vitit 2012.