16:45 / E Shtunë, 04 Shkurt 2023 / MSH

Diagnostifikimi i ekonomisë

Shkruan: Valon Osmani

Mjafton ta vizitosh Kosovën dhe e vëren pa problem se gjërat në ekonomi nuk funksionojnë siç duhet. Këtë fakt lehtësisht e dokumenton përmes lajmeve. Ndërsa për personat që nuk shohin televizion por kanë sy të shëndetshëm mjafton një shetitje në market ta konfirmosh se ngritja e çmimeve, e nisur muajt e fundit pavarësisht shkakut, rëndon më shumë përgjatë kësaj periudhe si pasojë e shpenzimeve shtesë për nxemje dhe jo vetëm. Megjithëkëtë, persona të shumtë, problemet ekonomike ia adresojnë krizës ekonomike globale dhe menaxhimit jo të mirë në të kaluarën.

Për shembull për ta zbutur një konstatim të tillë, ngritjen e çmimeve ia adresojnë konfliktit ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, për ta vazhduar me keqmenaxhimin e qeverisjës së më herëshme dhe krizës ekonomike globale në përgjithësi. Pas diagnostikimit të situatës, është e pamohueshme se krizën ekonomike mund ta lidhësh në njëfarë mënyre edhe me ngjarjet globale sepse komunikimi tregëtar që Kosova ka me shtetet e huaja tashmë është fakt. Dhe, përveç kësaj, sikur prodhuesit vendor të ishin më konkurrues ndaj importeve nga shtetet e huaja, goditja nga kjo krizë nuk do të ishte e përmasave të sotshme. Ju nxisë t’i kujtoni keqpërdorimet e shumta me subvencione në sektorin e bujqësisë!

Prandaj, keqmenaxhimi në të kaluarën i kontribuon këtij problemi mirëpo, për dallim nga e tashmja, persona të shumtë shprehimisht thonë se levizjet ekonomike, para disa vitesh, kanë qenë më të përballueshme krahasuar me periudhën në të cilën po kalojmë. Për ta thënë ndryshe, për periudhën e referuar të keq menaxhimit ka nostalgji për shumë sepse aftësia për të diagnostikuar krizën ekonomike po e evidentojnë lehtësisht sidomos kategoritë më të prekura – shtresat e varfëra.

Për nga rëndësia diagnostikimi, siç përdoret në shëndetësi dhe në ekonomi, është metodë e domosdoshme për shërimin e problemit. Nga perspektiva e intervenimit shëndetësor, trajtimi i duhur është metoda e vetme për shërim të cfarëdo problemi pas diagnostikimit sepse nëse përdoret ndryshe, sa për të hedhur hi syve (siç kishte me thënë populli), metodës i zvoglohet rëndësia për tu bërë pastaj irelevante. Në këtë kuadër, për sa të vazhdoj kriza duke mos vepruar ku është e nevojshme, rishpërndarja e rrogave për të punsuarit vetëm sa e kompenzon deri dikun ngritjen e çmimeve për ta, por kursesi për të tjerët derisa nuk do të ketë ngritje të të ardhurave.

Për ta rritur rëndësinë e diagnostikimit domosdoshmërisht duhet të synohet shërimi i shkaqeve të problemit. Kjo bëhet përmes intervenimit të nevojshëm në zbritjen e inflacionit të çmimeve të ushqimeve bazë pasiqë shtresat e varfëra përqindje të konsiderueshme të të hyrave financiare i shpenzojnë për ushqim. Një intervenim i këtij lloji do t’i kontribuonte gjitha kategorive pa dallim dhe numrin rekord të regjistrimit të bizneseve të reja – duke anashkaluar qëllimshëm numrin e bizneseve të shuara sidomos gjatë kohës së mbylljes si pasojë e pandemisë, do ta bënte sukses të vërtet të kësaj qeverie.

Shumë personave në Kosovë mundet edhe të mos iu interesoj prejardhja e krizës ekonomike, shpesh përshkak të kushteve të rënda të jetesës. Mirëpo, të gjithëve padallim, na intereson përmirësimi i kushteve ekonomike që është vështirë i ndashëm nga intuita jonë. Për më shumë, ka të bëjë me shëndetin psiqik dhe fizik të çdo personi. Ndryshe, objektivi për tu zhvilluar ekonomikisht nuk do të synohej nga shtetet prej të cilave mësojmë. Si parandalim eventual i diagnostikimit në të ardhmën, ftoheni të hulumtoni dhe mësoni nga programi i ushqimit në periudhën e ish Presidentit Nikson në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.