14:53 / E Enjte, 04 Janar 2018 / indeksADMonline

Digjitalizohet “Pisa”, shpresohet në rezultate më të mira

Rezultatet e dala nga testi i kaluar ‘PISA’ i mbajtur në Kosovë nxori debate të shumta dhe reagime nga më të ndryshmet. Rezultati ishte aq i ulët sa pothuajse u përqeshën me njëri-tjetrin.

E gjatë ditës së djeshme kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka zhvilluar një takim me Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi ku thotë se janë pajtuar që të shtohet dinamizmi i punës përgatitore për testin ‘PISA 2018’.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri  Bytyqi ka treguar për Indeksonline se nga ardhja në krye të kësaj ministrie fokus të veçantë pati në atë se si do të dalin nxënësit në testin e ardhshëm të PISA-s.

Madje Bytyqi ka tregua se testi i ardhshëm i PISA-s, nuk do të mbahet më me shkrim por do të jetë në mënyrë digjitale dhe se Ministria e Arsimit kishte bërë kërkesë për shtyrje të afatit të mbajtjes, por që përgjigja ishte negative.

“Ne fatkeqësisht kemi pasur një periudhë të shkurtë, që nga marrja e mandatit deri tek mbajtja e testit të ardhshëm të testit në 2018, është shumë afër pra diku në fund të prillit. Na ka gjetur në një situatë jo shumë të mirë, por duke u munduar që të shohim se cila është gjendja dhe çfarë është bërë deri më sot. Ka ekzistuar një komision i mëhershëm i ‘PISA-s’ që në fakt nuk e ka bërë punën siç duhet apo nuk ka funksionuar asnjëherë, s’ka punuar fare. Kam qenë i detyruar të formojë një komision të ri, nga fillimi dhe është vërejtur një angazhim i jashtëzakonshëm dhe presim që së paku deri në prill të jemi më hapa shumë të hovshëm të përgatitur, për dallim nga testi i kaluar. Në anën tjetër Banka Botërore ka bërë një vlerësim të problematikave që kanë ekzistuar tek testi i kaluar, Gizi gjerman poashtu ka bërë një hulumtim dhe këto kanë ndihmuar në rreshtimin më të lartë të vëmendjes, në ngritjen e një niveli më të lartë të rëndësisë. Testi i kaluar përveç të tjerave, është parë si formal, pra thjeshtë sa për ta kryer një test pa e ditur rëndësinë e tij”, ka thënë Bytyqi.

E gjithë kjo punë, sipas ministrit ka një plan dinamik, ku deri në fundin e prillit planifikohet të mbahen dy teste provuese në të gjitha shkollat e Kosovës. Pra Komisioni në bashkëpunim me Shqipërinë kanë siguruar disa tekste të viteve të kaluara që do të shfrytëzohen si teste provuese. Pra, është një punë dinamike që të shihet se cilat janë problemet, e shohin rëndësinë e testit, familjarizohen me të .

“Në testin e parë do t’i nënshtrohen të gjitha shkollat, në testin e dytë do të identifikohen shkollat të cilat do t’i nënshtrohen testit. Si asnjëherë më parë këtë herë testi ‘PISA’ do të mbahet në formë digjitale, pra kjo mund të shkaktojë një problem shtesë por shpresojmë që në dy testet e para provuese nxënësit veçse do të familjarizohen”, ka thënë ai.

Kreu i arsimit pret që testi të dalë më mirë se sa ka qenë por nuk shpreson që do të jetë i vëelitit ku dëshiron ai, për arsye të kohës së shkurtë të cilën e kemi.

“Kam kërkuar që testi të shtyhet dhe që të mos mbahet këtë vit, pra të jetë në vitin e ardhshëm, por kjo gjë është refuzuar. Pra kam pasur përgjigje negative, duke kërkuar ose të tërhiqemi komplet nga testi deri në vitin 2021 pasi nuk ka shtyerje të përkohshme. Ne jemi të detyruar të marrim masa më urgjente, sepse nuk deshëm që të tërhiqemi. Por nuk përfundon e gjithë këtu obligimi dhe përgjegjësia karshi këtyre problemeve”, është shprehur ministri Bytyqi./Indeksonline/