23:19 / E Mërkurë, 31 Janar 2018 / indeksADMonline

Dilema rreth rezolutës së Kuvendit për ndotjen e ajrit

Rezoluta e propozuar nga kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli rreth përmirësimit të politikave të deritanishme mjedisore lidhur me cilësinë e ajrit, po shihet me skepticizëm nga njohës të çështjeve politike në vend.

Profesori i të Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, në një prononcim për Indeksonline ka thënë se asnjë rezolutë e dalë nga Kuvendi i Kosovës nuk është realizuar.

Andaj, ai ka hedhur dyshime mbi kërkesën e Veselit për të investuar në shtëpitë dhe ndërtesat e paizoluara në Kosovë.

Veseli madje gjatë seancës së jashtëzakonshme e cila do te vazhdoj edhe neswr për ndotjen e ajrit, ka propozuar mbështetje buxhetore për zhvillimin më të shpejtë të zgjerimit të projektit të ngrohjes përmes koogjenerimit.

Sipas Baraliut, i takon Kuvendit që ta detyrojë ekzekutivin që ta zbatojë atë.

“Ato propozime, të kujtdo qofshin janë të mira nëse janë konstruktive dhe që gjejnë zgjidhje. Por me rezoluta të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të gjitha pa përjashtim kanë mbetur të parealizuara, por të shpresojmë se për këtë do të jetë ndryshe. Janë masa që Kuvendi të ndalet jo vetëm me miratimin e një rezolutë por të shkojë aty deri sa ta detyrojë ekzekutivin që t`i zbatojë këto rezoluta”, ka thënë ai.

Tutje, lidhur me investimet që i ka përmendur Veseli, Baraliu është shprehur se janë të mira nëse ato do të zbatoheshin. Sipas tij, duhet t`u jepet leje investitorëve të huaj dhe atyre nga Diaspora që të investojnë në Kosovë.

Baraliu, në anën tjetër, i ka quajtur të papërgjegjshme të gjitha Qeveritë e kaluara meqë nuk janë marrë me një çështje të rëndësishme siç është ndotja e ajrit. Ai ka përmendur deklaratën e përfaqësuesve të Institutit të Shëndetit Publik të cilët kishin thënë se në vitin 2009 nga një hulumtim i kryer patën paralajmëruar për ndotjen që do të ndodhte, porse askush nuk kishte marrë masa për këtë gjë nga atëherë e deri në ditët e sotme.

“Qeveria nuk e ka marrë këtë seriozisht, ndërkohë që nga viti 2009 janë ndërruar disa qeveri. Përgjegjësia e institucioneve tona nuk është në nivelin e duhur por edhe Kuvendi nuk është në nivelin e duhur sepse në çdo legjislaturë po vjen duke bërë punën e vet më të ngadaltë, duke neglizhuar detyrat që kanë, për të kryer punën që janë të detyruar me ligj. Prandaj e kemi tash gjendjen që jemi që krahasohemi me qytetet më të ndotura. Kina është ndotësi më i madh i globit por ajo ka një ekonomi jashtëzakonisht të zhvilluar, ndërkohë që Kosova as nuk ka ekonomi as industri por mbetet ndotës i madh”, ka thënë ai për Indeksonline.

Baraliu ka komentuar planin e Komunës së Prishtinës dhe të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor rreth hyrjes së veturave në kryeqytet. Sipas tij, ky vendim duhet përkrahur nga qytetarët sepse janë parë rezultatet që ka pasur ulje të përqindjes së nivelit të ndotjes së ajrit në Prishtinë dhe rrethinë./Indeksonline/